Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

AAK: Kapitulli me Serbinë të përmbyllet, zvarritësit e marrëveshjes e kanë me hile

Ramush Haradinaj

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka deklaruar se ata që e zvarrisin marrëveshjen finale për njohje me Serbinë janë hileqarë, që i janë futur një misioni të pamundshëm, në rikthimin e Kosovës në pikën zero.

Në një komunikatë dërguar mediave, AAK-ja ka thënë të enjten se Kosova duhet t'u kthehet aleatëve pasi ka theksuar se s'ka ecje përpara duke mos i përfillur Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kosova ka mbërritur këtu ku është sot, vetëm falë njerëzve të vërtetë, në të gjitha fazat e një lufte shekullore, deri në lirinë e plotë dhe në krijimin e shtetit. Dhe e vërteta e jonë është paqëndrueshme pa anëtarësimin e Kosovës në NATO, e kjo nuk bëhet pa aleatët strategjikë, Amerikën dhe demokracitë tjera perëndimore. Ata që sot provojnë të ecin përpara duke mos e përfillur aleatin kryesor të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, Amerikën, nuk janë të vërtetët. Ata që e zvarrisin marrëveshjen përfundimtare për njohje me Serbinë, me lloj-lloj marifetesh e justfikimesh, e me zgjidhje qesharake për veriun e vendit, e kanë me hile. Ata i janë futur një misioni të pamundshëm, rikthimin e Kosovës në pikën zero.”, thuhet në njoftimin e partisë opozitare.

AAK-ja, që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj, ka theksuar se është detyrë e secilit që të zhbllokohet situata e krijuar në veriun e Kosovës “dhe të përmbyllet kapitulli i marrëveshjes finale”.

Sipas këtij subjekti politik, kjo nuk do mund të arrihet “me njerëzit që nuk janë të vërtetët”.