Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka zgjedhur sot ish-ministren e Mjedisit, Albena Reshitaj nënkryetare të partisë, ndërsa ish-ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasanin për anëtar të Kryesisë.
Kështu ka bërë të ditur nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini në një konferencë për media, pas takimit të Këshillit Drejtues të këtij subjekti.
Ai tha se AAK-ja ka vendosur edhe për formatet e shtabeve zgjedhore nëpër komuna dhe për formatin e programit zgjedhor, teksa shtabit zgjedhor qendror do t’i prijë Blerim Kuçi, i cili është sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, përcjell ksp.
“Sot e kemi edhe një lajm të mirë. Ish-ministrja Albena Reshitaj me vendim të Këshillit Drejtues është pjesë e Kryesisë dhe nënkryetare e AAK-së. Ne të gjithë jemi të gëzueshëm që e kemi këtë rast për ta shpalosur dhe në të njëjtën kohë, sot kemi dërguar mesazhe mobilizimi në të gjitha degët tona, për përgatitje për zgjedhjet, të cilat mbahen në fillim të vjeshtës... Në të njëjtën kohë, Këshilli Drejtues ka vendosur që anëtar i kryesisë së Aleancës të jetë edhe ish-ministri Bajram Hasani”, tha Gjini.
Nënkryetarja e sapo zgjedhur, Albena Reshitaj, u shpreh se sot ka fituar besimin e liderit të AAK-së dhe gjithë partisë për të marrë pozitën e re.
“Ndjehem e nderuar të jem pjesë e kësaj shtëpie të madhe... Mendoj që kam marrë vendimin e duhur. Unë besoj në AAK, besoj në të gjitha vendimet që janë marrë nga kjo parti politike dhe nga lideri Ramush Haradinaj. Prandaj, Kosova më shumë se kurrë ka nevojë për një parti që mbi të gjitha ka në rend të parë popullin, atdheun e pastaj të tjerat”, u shpreh Reshitaj.
Në fund, nënkryetari Ardian Gjini u shpreh se në konferencat e radhës për media do të shpalosin programin dhe konceptin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Reshitaj kishte dhënë dorëheqje nga posti i ministres së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, që ishte emëruar në këtë pozitë si anëtare e AKR-së së Behgjet Pacollit. Pas kësaj ajo ishte emëruar këshilltare në Zyrën e Haradinajt në Kryeministri.
Ndërkaq Bajram Hasani ka qenë anëtar i Nismës Socialdemokrate.