Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

AAK-ja propozon Konferencë të krerëve të partive, thotë se dialogu është komprometuar

Foto: Koha

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dalë në një konferencë për media, ku ka propozuar që të mbahet një Konferencë për Kosovën në Prishtinë, ku do të merrnin pjesë prijësit e partive politike dhe përfaqësuesit e SHBA-së dhe BE-së, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Ky propozim i tij vjen, siç ka thënë ai, pas përçarjeve të shumta të taborit politik të Kosovës, qasje që po e dëmton Kosovën në raport me Serbinë.

“Si Aleancë, ne kërkojmë që me u marr vesh se kah duam me ia mbajt. Propozoj që të thirret një konferencë për Kosovën që të mbahet në Kosovë, e përbërë nga kryetarët e partive politike, por edhe udhëheqësit e dialogut, SHBA pra, dhe lehtësuesit, pra BE. Kjo konferencë e Kosovës në Kosovë, do të mundte të krijojë një qëndrim unik, që do t’ua lehtësonte SHBA-së dhe BE-së që të pajtohemi për dialogun”, ka thënë Haradinaj.

Kryetari i AAK-së ka thënë se procesi i marrëveshjes me Serbinë tashmë është komprometuar, transmeton Koha.net.

“Procesi i marrëveshjes me Serbinë është komprometuar. Faktori politik në vend është përça, presidenti në njërën anë, kryeministri në tjetrën. Pikërisht për këtë arsye Kosova është bërë subjekt i bisedimeve dhe jo palë në tavolinë”, ka thënë Haradinaj.

Edhe Haradinaj propozon pauzë të dialogut me Serbinë Arbëri Haradinaj propozon pauzë të dialogut me Serbinë

Sipas Haradinajt, tashmë në Kosovë ekzistojnë dy blloqe politike, ai i Presidentit dhe ai i Kryeministrit. Por asnjëri nuk po i bën mirë Kosovës, ka thënë ai.

“Blloku politik që kërkon heqjen e taksës, e vendosë përpara kohën përpara kualitetit të marrëveshjes. Këtë bllok opozitar e udhëheqë njeriu që kërkonte shkëmbime territoriale, pra presidenti Thaçi. Blloku tjetër i udhëhequr nga Kurti e kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani, nuk ka kalkuluar mirë, sepse kërkon heqjen e taksës po ashtu, por pa dakordim me SHBA-në”, ka theksuar ish-kryeministri Haradinaj.