Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka hyrë në seancën e sotme me pankartat “Voto për trustin”.
Ato janë vendosur te foltorja e Kuvendit të Kosovës dhe vendet e ministrave dhe kryeministrit.
Në anën tjetër deputetja e PDK-së, Blerta Deliu ka thënë se derisa sot po flasin, njësorët elektrikë janë duke u tarifuar me çmime të shtrenjta.
“Ka rreth dy muaj që vendimi i ZRRE-së është pezulluar ndërsa qytetarët po paguajnë energjinë me çmim të shtrenjtuar. Kjo vetëm se është papërgjegjësi është edhe keqpërdorim i detyrës zyrtare. Ky bord i zgjedhur nga Qeveria Kurti. Javën që shkoi mori një vendim skandaloz, vendosi që të shtyjë vendimin e tij”, ka thënë ajo.
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka thënë se më shumë se 1000 profesionistë shëndetësorë të angazhuar gjatë pandemisë, kanë mbetur pa paga tash e tre muaj.
Ai ka thënë se puna e tyre pa pushim edhe në ditët e vikendit tregon mashtrimin që iu bë gjithë atyre që punën e tyre duan ta kryejnë me nder.
“Edhe javën e kaluar ia kemi drejtuar ministrit të Financave këtë pyetje i cili po mburret për shpërndarje të milionave por nuk kishte përgjigje se pse kanë mbetur pa paga këta profesionistë shëndetësorë”, ka thënë ai.
