Debati mbi katërorësh për uljen e çmimit të energjisë elektrike ka përfunduar pa vendim të Kuvendit, shkaku i mungesës së deputetëve. Rezolutës së PDK-së i doli në mbështetje e gjithë opozita, por jo edhe ligjvënësit e pushtetit
Në mungesë të kryetarit, nënkryetares nga radhët e partisë në pushtet e dy nënkryetarëve të tjerë të partive opozitare, seancën e parë të sesionit pranveror e ka udhëhequr në nisje nënkryetari i Kuvendit nga radhët e komuniteteve, Bahrim Shabani.
Problemi i mungesës së kuorumit, që e ka përcjellë punën e Kuvendit vitin e kaluar, ka vazhduar edhe në këtë seancë. Për shkak të mospranisë së mjaftueshme të ligjvënësve, nuk është vënë në votim rezoluta, pas debatit për çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike.
Seanca e jashtëzakonshme është thirrur nga subjekti kryesor në opozitë, Partia Demokratike. Ajo propozoi edhe rezolutën që ka synuar të miratohet pas debatit që zgjati mbi 4 orë. Në këtë nismë mori mbështetjen e deputetëve të opozitës, por jo edhe të atyre të pushtetit.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e akuzoi ekzekutivin duke thënë se blloktarifa rëndon mbi kurrizin e qytetarëve dhe u përshtatet nevojave të tregtarëve të energjisë.
“Keni dashtë me e mbajtë Kosovën jo një vend që prodhon vetëm për veti, por edhe eksporton, po keni dashtë me mbajtë Kosovën të varur për tregtarët e energjisë si GEN-it me seli në Serbi, që me ua mundësu Martin Berishajve e Nagib Krasniqave, e shefat e juaj me ju kallëzu ku duhet me ble rrymë, kujt duhet me ia dhanë paret”, ka thënë Krasniqi.
Gjatë debatit, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se blloktarifa e tanishme për kalkulimin e shpenzimeve të energjisë elektrike për konsumatorët krijon drejtësi sociale.
e blloktarifës do të thotë ulje për këto 4.784 shtëpi që shpenzojnë shumë, por do të thotë rritje e faturës për shumicën dërrmuese të qytetarëve”, ka thënë Rizvanolli. “Vetëm 2 për qind e konsumatorëve që shpenzojnë mbi 3.000 kilovatë në orë, e shpenzojnë 11 për qind të energjisë elektrike. Këta 2 për qind, pra këto 4.784 shtëpi, kanë shpenzuar mesatarisht 4.156 kilovat në orë. Kjo është shtatëfish më e lartë se mesatarja e krejt familjeve kosovare këtë muaj, me 611 kilovatë në orë dhe 11-fish më e lartë se atyre 322.800 familjeve që kanë konsumuar më pak se 800 kilovatë në orë”.
Këto të dhëna u cilësuan manipuluese nga deputetë të Lidhjes Demokratike.
Deputetja Hykmete Bajrami ka thënë se në përqindjen e konsumatorëve që kanë shpenzuar më pas se 800 kilovatë janë përfshirë edhe njësorët e shtëpive që janë të pabanuara.
“Ti çka je tu thanë është që njerëzve që jetojnë në Gjermani e Zvicër nuk iu është ngritur energjia elektrike. Jo, se ata paguajnë atje dhe jo këtu. E prej 2011-s e deri më sot ka shumë mundësi që 50 për qind të njësive të banimit në regjistrimin që do të bëhet këtë vit, do të dalin të zbrazura. Mos manipuloni me statistika”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se vendimi për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike, që vitin e kaluar është bërë për të dytën herë brenda mandatit qeverisës, nuk është në proporcion me vlerën e blerjes së saj.
“A ka dikush që e shpjegon se qysh ka mundësi me ble një megavat këtë vit dy herë më lirë se para dy vjetëve e çmimi me qenë më i shtrenjtë. Mbi çfarë baze, mbi çfarë baze është ky çmim për konsumatorët kur ka marrëveshje e dihet me çfarë çmimi ia jep KEK-u-KEDS-it”, ka thënë Tahiri.
Pjesa më e madhe e diskutimit për anulimin e bllok-tarifës për kalkulimin e shpenzimit të energjisë elektrike është zhvilluar pa praninë e anëtarëve të Qeverisë.
“Për Qeverinë sa është i rëndësishëm ky debat shihet edhe nga prezenca me një ministër”, ka thënë Tahiri.
Thirrja e kësaj seance të jashtëzakonshme është cilësuar joserioze nga Mimoza Kusari-Lila, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Përderisa tema që është kërkuar është e rëndësishme, e njëjta do të mund të trajtohej si pikë e rregullt e rendit të ditës”, ka thënë Kusari-Lila. “Për të gjitha veprimet në kuadër të vendimmarrjes, ne jemi këtu, për zgjidhje natyrisht, ndërsa për hetime dhe bllokada ju kemi juve”.
Në draft-rezolutën, e cila në mungesë kuorumi nuk është vënë as në votim, i është rekomanduar Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që brenda afatit të arsyeshëm kohor të marrë vendim për anulimin, përkatësisht heqjen e blloktarifës për kalkulimin e shpenzimeve të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë.
Gjithashtu ZRRE-së i është rekomanduar të ndërmarrë masa në raport me Kompaninë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), për të siguruar trajtimin efektiv dhe të barabartë të konsumatorëve që kanë parashtruar ankesa ndaj faturave të energjisë elektrike për muajin dhjetor 2023 dhe ankesave eventuale të konsumatorëve në vitin 2024.
Rezoluta do të obligonte Qeverinë për të marrë masa, veprime e vendime për krijimin e parakushteve financiare për anulimin e menjëhershëm të vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe lehtësimin e barrës financiare për konsumatorët familjarë të energjisë elektrike.