Arbëri

MPJ mohon se Burundi ka tërhequr njohjen për Republikën e Kosovës

Ministria e Punëve të Jashtme thotë se ka përcjellë me vëmendje të shtuar raportimet e mediave dhe deklaratave respektive nga autoritetet e Beogradit zyrtar për kinse “tërheqjen e njohjes së Republikës së Kosovës nga ana e Republikës së Burundit”.

MPJ përmes një komunikate për media mohon kategorikisht se Burundi ka tërhequr njohjen e shtetësisë së Kosovës, dhe sipas saj këto janë propaganda dashakeqe nga ana e politikës së vazhdueshme të Serbisë, transmeton Koha.net.

“Ministria e Punëve të Jashtme rithekson qëndrimin e mëparshëm se raportimet dhe deklaratat e tilla janë vazhdimësi e politikës së Serbisë me mjete të betejës hibride, që përfshijnë, por nuk kufizohen vetëm në propagandën destruktive, dezinformuese dhe dashakeqëse me lajme të rreme dhe krijimin e narracioneve të paqena, të cilat qëllim parësor kanë minimin e forcimit të subjektivitetit dhe integrimit ndërkombëtarë të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Ministria e Punëve të Jashtme më tutje shton se, “nuk ka pranuar asnjë dokument zyrtar nga Republika e Burundit, që do të mund të konsiderohej në kundërshtim me Notën Verbale për njohjen e Republikës së Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran nga ana e Republikës së Burundit më datën 16 tetor, 2012”.

Ministria e Punëve të Jashtme ripërsërit qëndrimin se, “e drejta ndërkombëtare nuk e njeh aktin politik të të ashtuquajturës “tërheqje të njohjes”, andaj çdo raportim dhe deklarim përkitazi me këtë çështje duhet të shikohet nga këndvështrimi i politikave dhe veprimeve të 3D-ve të sipërpërmendura nga ana e Serbisë në raport me Kosovën”.

Ministria e Punëve të Jashtme rikujton se rasti me shtetin e Guinea-Bissau ishte dëshmia më e mirë e dekonspirimit të propagandës dhe synimeve serbe për manipulim me emra shtetesh dhe falsifikim vulash zyrtare.​