Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

MPJ-ja përgënjeshtron lajmet për çnjohjet e Kosovës, i quan spekulime të Serbisë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka përgënjeshtruar lajmet që kanë ardhur nga Serbia, në lidhje me pretendimet për gatishmërinë e disa shteteve për tërheqje të njohjeve të pavarësisë së Republikës së Kosovës.

MPJD përmes një komunikate ka thënë se pretendimet siç janë bërë nga disa media të Serbisë se disa shtete mund të marrin vendim për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, janë spekulime dhe pjesë e fushatës së Serbisë për të dëmtuar subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit tonë.

“MPJD ju bën të ditur se rikthimi i debatit dhe propagandës së Beogradit, përmes lajmeve të rrejshme, duke shfrytëzuar konceptin e ashtuquajtur “çnjohje”, është ringjallur me qëllim të krijimit të konfuzionit në opinionin publik, në kohën kur vendi ynë po kalon në periudhë transicioni të konsolidimit institucional pas zgjedhjeve të mbajtura muajin e kaluar”, thuhet në komunikatë.

Sipas Ministrisë nga komunikimi përmes kanaleve diplomatike dhe diplomatëve të saj e shteteve aleate, “asnjë prej vendeve që janë përfolur nga mediat serbe, as që e kanë diskutuar mundësinë për ndryshim të pozicionit në raport me Republikën e Kosovës”.