Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

80 për qind e të hospitalizuarve në Infektivë janë në oksigjenoterapi

(Kosova Press) - Në Klinikën Infektive janë të mbushura të gjitha kapacitet spitalore dhe aktualisht janë të shtrirë 112 pacientë dhe 80 për qind prej tyre janë me oksigjenoterapi.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive, Izet Sadiku, tha se një pacient i cili ka qenë i intubuar është dërguar në Mjekimin Intensiv për shkak të disa punimeve që janë duke u zhvilluar për të finalizuar shtretërit e Infektives në sistemin qendror të oksigjenit.

“Ne i kemi të gjitha kapacitetet e mbushura i kemi gjithsej 112 pacientë, prej të cilëve diku 80 për qind janë me oksigjenoterapi dhe vazhdojmë të japim trajtim por kapacitet janë komplet të shfrytëzuara tashmë. Sot e kemi pasë një pacientë të intubuar e kemi përcjell në Mjekimin Intensiv, arsyeja e përcjelljes është se janë duke u bërë disa renovime përfundimtare me qëllim të funksionalizimit të komplet sistemit të oksigjenit i cili ka nisur dje”, u shpreh ai.

Nga dita e djeshme në Klinikën Infektive të QKUK-së, është lëshuar në funksion sistemi qendror i furnizimit me oksigjen për të gjithë shtretërit e kësaj klinike. E kjo po shihet si një lehtësim shumë i madh për profesionistët shëndetësor por edhe pacientët.

“Është lehtësim shumë i madh edhe për pacientin por edhe për stafin realisht, sepse gjithmonë ka qenë në panik se në orën 3 apo 4 të natës ka mundur që pacientit me iu shpenzuar boca”, tha ai duke shtuar se rreth 80 e të hospitalizuarve kanë nevojë për oksigjen.