Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

74 për qind e botës jeton në autokraci, Kosova në zonën e demokracisë

demokracite vs autokracite

Kosova është në mesin e shteteve të botës që janë në zonën e demokracisë, sipas raportit “V-Dem 2026”.

Raporti prestigjioz ka nxjerrë të dhëna alarmuese për botën, në fund të vitit 2025. Të dhënat kanë treguar se demokracia në botë është kthyer në nivelet e vitit 1979. Bota i ka 92 autokraci e 87 demokraci. 74 për qind e popullatës së botës (6 miliardë) tani jeton në autokraci.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

E sa i përket rajonit të Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi është i vetmi vend që qëndron në nivel më lartë se Kosova në aspektin demokratik. Përderisa Kosova është e njohur si shtet me demokraci zgjedhore, Mali i Zi mund të konsiderohet si shtet që ka të dhëna që i përshtaten edhe demokracisë liberale, si niveli më i lartë i njohur në raport.

Si demokraci zgjedhore, por me mundësi që të konsiderohet edhe autokraci zgjedhore është renditur Maqedonia e Veriut.

Shqipëria ka shënuar rënie dhe nga demokracia zgjedhore tani ka rënë në autokraci zgjedhore. Në të njëjtin nivel është edhe Bosnjë-Hercegovina. Të dyja megjithatë kanë atribute edhe të demokracive zgjedhore.

Më së keqi në rajon mbetet Serbia, si autokraci e vulosur zgjedhore, e që më 2025 përjetoi edhe episode edhe më të rënda.

Demokracitë zgjedhore, si Kosova e Mali i Zi janë shtetet ku mbahen zgjedhje shumëpartiake të lira dhe të drejta e ku ka nivel të kënaqshëm të lirisë së shprehjes e të drejtës për votë. Ndërkaq autokracitë zgjedhore, si Shqipëria, Bosnja e Serbia, janë vendet ku ekzistojnë zgjedhjet shumëpartiake, por liria e shprehjes dhe e drejta e votës janë më të cunguara.  

Demokraci liberale janë aty ku kërkesat e demokracisë zgjedhore plotësohen me ndarje të pushteteve, ka gjyqësor të pavarur e barazi para ligjit.

Sipas të dhënave, vetëm 7 për qind (0.6 miliardë) jetojnë në demokraci liberale, si nivelin më të lartë të demokracisë. Këtu ka shtete të Bashkimit Evropian,

E për dallim nga 25 vjet më parë, gati të gjitha aspektet e demokracisë kanë pësuar rënie. Liria e shprehjes është sfera më e goditur – 44 shtete përjetuan rënie të nivelit më 2025.

Shtypja e opozitës është në rritje e bota s’ka parë kurrë kaq shumë shtete që po bien në autokraci në të njëjtën kohë.

Bashkimi Evropian është prekur ndjeshëm. Efekte të autokracisë kanë prekur shtatë shtete të saj dhe dy prej aleatëve kryesorë – Britania dhe SHBA-ja.

Shtypja e mediave është konsideruar si taktika më e zakonshme në mes të qeverive autokratike.

Bota po përballet me 15 vjet të stagnimit të demokracisë.  

Niveli i demokracisë për qytetarët në Evropën Perëndimore dhe në Amerikën e Veriut është në nivelin më të ulët në më shumë se 50 vjet.

“Varietetet e Demokracisë” është hulumtim që kryhet nga “V-Dem Institute”. Raporti paraqet databazën më të madhe mbi demokracinë me 32 milionë pikë të mbledhura prej 202 shteteve dhe territoreve nga viti 1979 e deri më 2025. Aty përfshihen mijëra ekspertë dhe vlerësohen më shumë se 600 atribute të demokracisë.