Me pluhur e baltë bëhen sa herë kalojnë nëpër rrugën e lagjes së tyre.
Përderisa pjesa më e madhe e rrugës “Xhevat Begolli” është e shtruar me asfalt, një pjesë tjetër e saj tash e shtatë vjet ka mbetur vetëm me zhavorr, që u shtrua nga Komuna.
Pavarësisht premtimeve, ajo asnjëherë nuk është asfaltuar, madje as nuk janë vizituar më nga askush.
Që nga ajo kohë, banorët me vetiniciativë e kanë sanuar edhe vetë rrugën për të mbuluar gropat e mëdha që janë krijuar ndërkohë. Kjo u ka kushtuar shumë nga xhepi i tyre.
Ndërsa ecja çdo ditë nëpër rrugën 700-metërshe po u shkakton probleme të tjera.
Edhe
Rrugët e fshatrave pa asfalt, Komuna e Prishtinës i trajton me zhavor
Zenel Januzi thotë se kur fëmijët e tyre shkojnë në shkollë dallohen nga të gjithë të tjerët, pasi këpucët iu mbushen plot me baltë.
“Problem e kemi me këtë rrugë shumë. Është prishë gropa-gropa, copa të betonit. Rruga po paraqet vështirësi, se çdo veturë s’mundet me marrë këtë rrugë. Fëmija kur po shkojnë në shkollë të gjithë po qeshin me ta, këpucët me lloç, ata të gjithë nëpër asfalt, trotuar, shumë problem po e kemi.”
Ndërsa Zeqir Tahiri thotë se kanë shkuar në Komunë për këtë, por tash e sa vite po marrin vetëm premtime.
“Qe shtatë-tetë vjet. Kur po është vjeshta po thonë në pranverë, kur po vjen pranvera po thonë në vjeshtë, edhe u mbetë qe 7-8 vjet qeshtu. Kemi qenë disa herë, por prapë njëjtë. Kur vjen vjeshta jo tash, por në pranverë, kur vjen pranvera jo tash, por në vjeshtë. Dimrit po bëhet lloç, verës po bëhet pluhur, fëmija po shkojnë në shkollë po stërpiken, bëhen lloç”.
Ndërsa Sali Salihu thotë se po iu duket sikur të mos jetojnë në kryeqytet, përderisa nëpër të gjitha fshatrat kanë asfalt.
“Jemi duke banuar në këtë lagje. Rrugë më të keqe, më katastrofë nuk kam parë. As nuk ka kanalizim, as s’ka rrugë, as kurgjë. Me shku nëpër katune ua kanë dërgu krejtve asfaltin nëpër shtëpia e në qendër të Prishtinës mos me pas asfaltë unë nuk e di se si është kjo.”
Edhe
Banorët e Brusit tash 11 vjet kërkojnë shtrimin e rrugëve me zhavorr
KOHA nuk ka arritur të marrë një përgjigje nga Komuna, me gjithë tentimin tash e sa ditë.
Ndryshe, përveç këtij problemi, këta banorë ankohen se po kanë probleme edhe me rrymën e dobët, pasi ajo është vetëm monofazë.