Arbëri

Si pasojë e reshjeve, IHMK paralajmëron daljen e këtyre lumenjve nga shtretërit e tyre

Descriptive Text

Instituti Hidrometerologjik i Kosovës përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se nesër pritet të ketë rritje të nivelit në disa prej lumenjve kryesor të Kosovës dhe dalje të ujit nga shtrati i tyre.

“Dalje nga shtrati në rrjedhën e mesme të tij, do të ketë lumi Drini i Bardhë dhe disa degë të tij në disa segmente, si lumi Klina në Klinë, Istogu, Bistrica Deçanit etj. problematike do të jetë edhe lumi Erenik me degët e tij, si dhe veçanërisht lumi Mirusha i cili pritet që të arrijë maksimumin e tij të nivelit me datën 02.12.2017, me mundësi shembje dheu me mesatare prej 21%”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Problematike do të jete edhe pjesa qendrore e Kosovës, sipas IHMK-së nga rrjedh lumi Sitnicë me degët kryesore (Drenica, Llapi) dhe përroskat që kalojnë nëpër vendbanime pritet që maksimumet e tyre të arrijnë në mes të datave 02 dhe 03 dhjetor, me mundësi të ulët shembje dheu prej 11%.

“Po ashtu edhe lumi Lepenc do të arrijë maksimumin e nivelit së bashku me Nerodimen gjatë datës 02 dhjetor, me mundësi shembje dheu prej 18%. Nivelet maksimale në lumin Morava e Binçës do të jenë gjatë datës 02 dhe 03 dhjetor me mundësi të lartë shembje dheu prej 35 %. Pikat e raportimit tregojnë vendet në drejtim të rrjedhës ku probabiliteti i parashikuar [%] i akumulimeve ekstreme të ujit, e tejkalon madhësinë e periudhës kthyese 5 deri 20 vjeçare të përmbytjeve”, thuhet në komunikatën e IHMK-së.

IHMK-ja më tutje shton se me datën 02/12/2017, priten nivelet maksimale në shumicën e lumenjve kryesorë, përderisa më 03 dhe 04 pritet të ketë ulje graduale nëpër lumenj.

Përmirësimit të situatës së vërshimeve do t’i paraprijë zvogëlimi i intensitetit të reshjeve pas mesnatës të së premtes (01/12/2017), deri më 02/12/2017.

“Ky do të jetë një stabilizim i përkohshëm i kushteve atmosferike, mbi rajonin e Ballkanit ngase pritet që reshjet me intensitet më të shtuar të rifillojnë përsëri deri në mesditën e datës 03/12/2017, ku parashikohet që mesatarisht të bien edhe rreth 20 mm reshje. Pas kësaj date parashikohet që të ketë stabilizim sa i përket reshjeve të shiut”, thuhet në komunikatë.

Image