Arbëri

Turqia arreston një shqiptar, dyshohet se ishte spiun i Izraelit

Liridon Rexhepi

Liridon Rexhepi

Turqia e ka arrestuar një person me emrin Liridon Rexhepi, që dyshohet se ishte udhëheqës i rrjetit financiar të Mossadit izraelit. Siç ka shkruar agjencia shtetërore turke e lajmeve, Anadolu Agency, i dyshuari u arrestua nga Departamenti i Antiterrorit në Stamboll.

Ai dyshohet se e ka menaxhuar rrjetin financiar të Mossadit në Turqi. Mossadi është agjencia kombëtare e inteligjencës e Izraelit.

Sipas dyshimeve, i dyshuari ka kryer incizime me dron dhe aktivitete operative psikologjike kundër politikanëve palestinezë me udhëzimet e Shërbimit izraelit të inteligjencës. Ai dyshohet se ka transferuar para për personelin e terrenit në Turqi, që përpilonin informacione lidhur me Sirinë.

VIDEO - Momenti i arrestimit:

Autoritetet turke raportohet se i kanë përcjellë të gjitha lëvizjet në llogaritë e të dyshuarit. I dyshuari u ndalua më 30 gusht. Në Polici, sipas AA-së, ka pranuar se ka transferuar para. 

Siç shkruan “Anadolu Agency”, Rexhepi ka transferuar para në Turqi edhe nga Kosova. Këtë dyshohet se e ka bërë përmes institucioneve mikrofinanciare e kriptomonedhave.

Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka konfirmuar se për rastin e të shtetasit kosovar të arrestuar në Turqi nën dyshimin se ishte udhëheqës i financave të Mossadit izraelit në Stamboll, Turqia ka dërguar pyetje në drejtim të Kosovës. Ajo ka thënë se kur të ketë detaje që mund të bëhen publike, ato do të bëhen.

“Na kanë dërguar edhe pyetje me shkrim për rastin në fjalë porsa hyra në këtë konferencë dhe për shkak të ndjeshmërisë së çështjes se në përgjithësi këto çështje janë të ndjeshme, sidomos kur jepet informacioni pa u kryer një veprim siç duhet. Unë kam kërkuar nga drejtori i departamentit që të më njoftojë vetëm për çështjet me të cilat mund të njoftohet publiku. Prandaj, me konsideratë kërkoj që sapo të përmbyllet kjo konferencë më lejoni që të përgjigjemi me shkrim në raport me çështjet të cilat lejohen. Pra, tashmë drejtori i departamentit po merret me këtë çështje”, ka thënë Haxhiu në një konferencë për shtyp të martën.

Fotografia e Liridon Rexhepit