Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Turqia arreston 7 persona nën dyshim se i kanë shitur informata Mossadit

Policia turke arrestoi të martën shtatë persona të dyshuar se i shisnin informacion agjencisë izraelite të inteligjencës, Mossad, thanë autoritetet, raporton “Anadoly Agency”. Janë të fundit në një valë arrestimesh të tilla në Turqi.

Të dyshuarit u morën në paraburgim gjatë bastisjeve të njëkohshme në Stamboll, tha ministri i Brendshëm turk Ali Yerlikaya në platformën e mediave sociale X, dikur Twitter. Bastisjet ishin një operacion i përbashkët me Organizatën Kombëtare të Inteligjencës së Turqisë. Të arrestuarit dyshohen se kanë mbledhur të dhëna për individë dhe kompani në Turqi dhe ia kanë shitur ato agjencisë së inteligjencës izraelite, tha Yerlikaya. Nuk dihet menjëherë nëse është ngritur ndonjë akuzë dhe autoritetet nuk dhanë informacion shtesë. Muajin e kaluar shtatë persona të tjerë, përfshirë detektivë privatë, u arrestuan me dyshime të ngjashme. Dhe në fillim të janarit, 34 persona u arrestuan gjithashtu nga policia turke me dyshimin se kishin spiunuar.