Arbëri

Musmurati: Edhe sivjet, Qeveria Kurti po i lë nxënësit pa libra në fillim të vitit shkollor

Besianë Musmurati

Foto: Alban Bujari

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besianë Musmurati ka kritikuar Qeverinë Kurti duke thënë es po i lë nxënësit pa libra në fillim të vitit shkollor. Reagimi i Musmuratit ka ardhur një ditë pasi që ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, njoftoi se edhe sivjet prindërit do të subvencionohen për të blerë librat shkollorë për fëmijët. 

Musmurati në konferencë për media ka thënë se kjo është shenjë se edhe sivjet viti shkollor do të nisë me kaos, konfuzion dhe pa libra shkollorë. 

“Ky është shtatori i tretë me radhë që na gjen me kriza në arsim. Grevat e mësimdhënësve më 2022, mungesa e librave më 2023, dhe siç po duket prapë mungesa e librave më 2024. Pra fatkeqësisht, çdo shtator po e gjen Qeverinë e Kosovës dhe ministren Nagavci të papërgatitur. Përderisa rezultatet e testit PISA na kanë alarmuar, ministrja Nagavci ka vendosë me vazhdu eksperimentimin e saj të pakuptimtë, për mossigurimin e librave shkollore me kohë. Në vend se të bëjmë hapa para me reformë strukturore, ministrja Nagavci po na kthen mbrapa me vendime të gabuara. Pra, edhe njëherë nxënësit e klasave 1 deri 9 do të fillojnë vitin pa libra”, theksoi ajo.

Musmurati tha se Qeveria Kurti po i shpenzon mbi 20 milionë euro për blerje të librave të njëjtë që në vitin 2017 janë blerë me rreth 3.5 milionë euro, për mbi 100 mijë nxënës më shumë se tani, “e ministres Nagavci nuk po i bëhet vonë, sepse eksperimentet që rezultuan të gabuara, po i përsëritë qëllimshëm prapë”.

“Ministrja na tregoi që janë 218 mijë nxënës që do të subvencionohen me nga 80 apo 110 euro. Nëse e marrim një mesatare që çdo nxënës do të subvencionohet me nga 95 euro, atëherë i bie që buxhetit të shtetit do t’i kushtojë 20 milionë e 776 mijë mije euro pajisja me libra. Pra edhe vonë, edhe gati trefishë më shtrenjtë se nga vitet e kaluara. Për shembull, librin e abetares, me shumicë Ministria me herët e ka blerë me rreth 7 euro, kurse vitin e kaluar prindërit në librari e kanë blerë me rreth 11 euro. Kjo do të thotë për çdo abetare të blerë, prindërit e kanë paguar rreth 4 euro më shumë. Dhe dje prapë na u tha, qe kjo praktikë e dëmshme do të vazhdojë edhe sivjet”, tha ajo.
Sipas Musmuratit, vitin e kaluar Qeveria Kurti e privoi arsimin nga projekti i digjitalizimit, duke i shfrytëzuar fondet e dedikuara për këtë proces për të mbuluar subvencionimin e librave.
“Vitin e kaluar, për të mbuluar koston shtesë të rreth 8 milionë eurove për subvencionim, Qeveria i mori fondet nga projekti për digjitalizim të arsimit. Pra, për me ble libra ma shtrenjtë, Ministria e Arsimit e sakrifikoi digjitalizimin. Çfarë projekti do të ndalin sivjet për me ble libra që ju kushtojnë më shtrenjtë?”, theksoi ajo.

Musmurati theksoi se ka pasur nxënës që për dy gjysmëvjetor shkollor u kanë munguar disa nga librat.

“Për më tepër, në një moment edhe u tha se rimbursimet e fundit të prindërve për vitin e kaluar janë bërë në maj të këtij viti. Pra, mund të konkludojmë që ka pasur nxënës që, që nga shtatori deri në maj, pra një muaj para se të përfundojë mësimi nuk ka pasur fare libra” , shtoi ajo

Musmurati tha se vitin e ardhshëm, në qeverisjen e PDK-së, furnizimi me libra nuk do të jetë më temë e 1 shtatorit, sepse digjitalizimin i proceseve në arsim do të vendoset në shërbim të nxënësve.