Drejtorët e Arsimit nga radhët e PDK-së në nivel komunal, kanë mbajtur konferencë për medie në të cilën kanë shprehur pakënaqësinë e madhe me propozimin e fundit të ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci në lidhje me furnizimet me tekstet shkollore për nxënës.
Besianë Musmurati, drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prishtinës, ka thënë se çdo ditë e më shumë po e shihet që Qeveria dhe Ministria e Arsimit janë të paafta të çojnë përpara “çfarëdolloj politike arsimore”.
Sipas saj, propozimi i Ministrisë së Arsimit për rimbursimin e prindërve për blerjen e librave është shembulli i fundit dhe më i freskët i keqqeverisjes në arsim.
“Tentativat për të fshehë dështimin në arsim me arsyetime e fshehje pas gabimeve të së kaluarës duhet të marrin fund. Gabimet nuk përmirësohen me gabime më të mëdha. Prindërit gjithandej nëpër Kosovë janë tejet të shqetësuar me situatën e re e cila pritet të krijohet – ku edhe shtatori i dytë nën qeverisjen Kurti po i gjen nxënësit me probleme për të nisur vitin shkollor”, ka thënë Musmurati.
Më tutje, ajo ka thënë se mbi 300 mijë familje kosovare do të detyrohen t’i blejnë librat për fëmijët e tyre – të pasigurt nëse ndonjëherë do t’u rimbursohen ato të holla, apo nëse ato do të jenë të mjaftueshme për të blerë librat.
Edhe
Musmurati: Edhe sivjet, Qeveria Kurti po i lë nxënësit pa libra në fillim të vitit shkollor
“Në vend se Qeveria ta zvogëlojë barrën financiare të shkollimit të fëmijëve prindërve kosovarë, ajo po kontribuon që të dëmtohen financiarisht edhe prindërit, po edhe vetë buxheti i shtetit. Ministria e Arsimit po përpiqet që dështimin e tyre për furnizim të nxënësve me libra ta mbulojë me arsyetime e improvizime”, ka thënë Musmurati.
Ajo ka thënë se nga ky veprim i Ministrisë, do të ketë të paktën tri pasoja të mëdha të cilat do t’i vuajnë nxënësit dhe prindërit.
“E para, vendimi i ministres Nagavci do të prodhojë vonesa dhe mësimi do të fillojë pa tekste shkollore. Së dyti, ky vendim i Qeverisë Kurti do të prodhojë humbje efektive të mësimit. Së treti, do të ketë shpenzime edhe më të larta për prindërit dhe vetë shtetin e Kosovës”, ka thënë drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës.
Musmurati ka thënë se tërë kjo situatë është si pasojë e keqmenaxhimit të MASHTI-s.
Edhe
PDK-ja akuzon ministren Nagavci për zhvatje të buxhetit e për dhunë psikike ndaj prindërve
“Në asnjë variant, çmimi i blerjes së librave me pakicë nuk do të jetë më i ulët se blerja me shumicë. Prandaj, çmimi i librave do të rritet, dhe atë barrë të shtuar financiare do ta paguajnë prindërit. Rrjedhimisht, Ministrja Nagavci ka anuluar një proces kinse për të kursyer buxhetin, por e ka zëvendësuar atë me një proces që kushton shumëfish më shumë. Edhe pse Qeveria e arsyeton këtë veprim duke e quajtur ‘luftë kundër monopoleve’, në fakt ajo po i shpërblen ato që ajo i quan monopole me çmime shumëfish më të larta”, ka thënë ajo.
Musmurati ka treguar se libri i abetares, esencial për nxënësit e klasës së parë, me shumicë, Ministria vitin e kaluar e ka blerë me rreth 7 euro, kurse me pakicë, sipas saj, prindërit do ta blejnë nëpër librari me 11 euro./eo