Arbëri

Njeriu i afërt i Orbanit fshin postimin me hartën pa Kosovën

Balazs Orban - viktor orban


Artikull i përditësuar në orën 14:35 - Balasz Orban, drejtori politik i kabinetit të kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban, e ka fshirë nga rrjetet sociale një fotografi në të cilën kishte paraqitur një hartë rajonale pa e përfshirë Kosovën si shtet të pavarur. 

Postimi i tij i bërë të hënën nxiti polemika. Orban kishte shfaqur një hartë duke treguar medaljet olimpike të shteteve të rajonit. Territori i Kosovës nuk ishte i shënjuar në kufijtë e vet. 

Tani, postimi i Orbanit është larguar nga rrjetet sociale e Ambasada e Kosovës në Hungari ka njoftuar për fotografinë e re që e “reflekton siç duket Republikën e Kosovës”.


Vetë Orbani në mesditë ka publikuar hartën e re në të cilën shihet edhe Kosova e teksa ka uruar ekipin hungarez ka theksuar se tani janë të dhënat e duhura. Megjithatë, edhe pse te Kosova janë theksuar kufijtë, harta nuk paraqet  numrin e medaljeve të fituara nga sportistët kosovarë.


Njeriu i Orbanit publikon hartë rajonale pa Kosovën 

Balazs Orban, drejtor politik i kabinetit të kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban, ka publikuar të hënën në rrjetin social “X” një hartë të rajonit, pa e përfshirë Kosovën.

Harta - që tregonte numrin e medaljeve të fituara në Lojërat Olimpike në Paris – nuk i shfaq fare kufijtë e Kosovës edhe pse Hungaria e njeh Kosovën si shtet të pavarur.

“S’ka nevojë për fjalë – numri i medaljeve olimpike në rajon”, ka shkruar Balazs Orban duke u krenuar me 19 medaljet olimpike të Hungarisë.

Postimi i Orbanit - Harta rajonale pa Kosovën

Postimit të tij i ka reaguar ish-ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj. “Harta e medaljeve olimpike, e qeverisë hungareze, pasqyron një realitet fiktiv. Vendi i merituar i Kosovës në hartë, bashkë me medaljet e fituara, është i pamohueshëm dhe është këtu për të qëndruar. Më shumë fat herën tjetër me gjeografinë”, i ka replikuar Hoxhaj.

E Kosova, pavarësisht se nuk është në hartën e Orbanit, në “Parisi 2024” ka marrë dy medalje duke lënë prapa në renditjen e përgjithshme më shumë se 130 shtete.

Hungaria e njeh Kosovën shtet, por në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës në prill katër deputetë të saj votuan kundër anëtarësimit të Kosovës.

Hungaria me në krye Orbanin si kryeministër është kthyer në shtet të kritikuar nga Bashkimi Evropian për shkak të qasjes me të cilën i është vënë luftës në Ukrainë, marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën dhe përpjekjet për ta mbrojtur demokracinë e sundimin e ligjit.