Paris 2024

Kosova më e suksesshmja në xhudo në Paris, në bazë të numrit të banorëve

Distria Krasniqi dhe Laura Fazliu

Distria Krasniqi dhe Laura Fazliu

Në listën zyrtare Kosova është e 14-a në mesin e vendeve më të suksesshme në turneun e xhudos në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”.

Këtë pozitë ia mundësuan medalja e argjendtë e Distria Krasniqit, e bronzta e Laura Fazliut dhe vendi i pestë i Akil Gjakovës. 

Por, lista ndryshon plotësisht kur për bazë merret numri i banorëve në vendet që kanë fituar medalje në xhudo në Lojërat e Parisit, që përfunduan të dielën mbrëma dhe që u vlerësuan të shkëlqyera.
Kur numri i medaljeve të fituara krahasohet me numrin e banorëve, atëherë Kosova është e para në listë. Pra vendi më i suksesshëm i xhudos në botë sa u takon Lojërave Olimpike “Parisi 2024”.

Është sajti që merret me analiza të ndryshme të xhudos, “JudoNews Online”, që ka bërë një llogaritje të tillë.

Medalja e artë olimpike është vlerësuar me 12 pikë. E argjendta me tetë pikë, ndërsa e bronzta me pesë pikë. Pasi në xhudo vlerë të madhe kanë edhe vendet e pesta dhe të shtata, janë pikëzuar edhe këto dy pozita. Për vend të pestë janë llogaritur tri pikë e për vend të shtatë një pikë.

Dhe me një përpjesëtim të tillë, Kosova është bindshëm e para në listë. Kur vlera mesatare e pikëve të dhëna për medalje krahasohet me numrin e banorëve, atëherë te Kosova del shifra 10.  

Gjeorgjia është e dyta në këtë listë interesante. Gjeorgjianët kanë një medalje të artë në xhudo nga Parisi, dy të argjendta dhe dy vende të pesta.  Kur shuma e mbledhur e pikëve krahasohet me numrin e banorëve të Gjeorgjisë (3,7 milionë banorë), del shifra 9,1.

E treta është renditur Sllovenia, që ka një medalje ari, por jo edhe medalje e plasmanë të tjerë. Dhe pika mesatare e Sllovenisë është 5,7.

Moldavia i kishte dy medalje bronzi. Kur krahasohen me numrin e popullatës, pika mesatare e Moldavisë, sipas kësaj ndarjeje, është 3,95.

Pas Moldavisë, që është e katërta, pasojnë Kroacia, Mongolia, Azerbajxhani, Izraeli, Taxhikistani. 
“Është një krahasim interesant, që dëshmon për nivelin e xhudos kosovare. Por, natyrisht edhe rejtingun e xhudos sonë në botë. Dy medalje olimpike e një vend i pestë i Akilit, që e përsëris, e ka vlerën e medaljes, janë bilanc shumë i mirë. Gara e xhudos ishte e jashtëzakonshme në Paris dhe të jemi në vendin e parë në një llogaritje si kjo na jep ndjenjë krenarie. Por, natyrisht është edhe përgjegjësi për të vazhduar me punë maksimale për të mbajtur këtë nivel që nuk po e lëshojmë për më shumë se një dekadë”, ka thënë për KOHËN trajneri i Kosovës në xhudo, kryemjeshtri Driton Kuka.
Në listën zyrtare e para është Japonia me tri të arta, një të argjendtë, tri të bronzta, dy vende të pesta e tri të shtata.

Azerbajxhani është i dyti me dy të arta e një vend të shtatë. Franca renditet e treta me një të artë, dy të argjendta, gjashtë të bronzta, një vend të pestë e një të shtatë. 

Edhe në listën zyrtare prapa Kosovës kanë mbetur superfuqi të sportit si: Gjermania, Mongolia, Meksika, Spanja, Austria, Belgjika, Kina, Portugalia, Suedia, Turqia, Holanda, Kuba e plot vende të tjera.

Falë xhudistëve të kryemjeshtrit Kuka, Kosova për herë të tretë rresht është në listën e vendeve me medalje olimpike. Në Paris, Kosova u rendit e 73-ta në përgjithësi. Vetëm 91 prej 206 shteteve kanë fituar medalje në Lojërat Olimpike Verore 2024.