Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi, ka thënë se është shqetësuese që s’ka pasur asnjë reagim nga Shqipëria lidhur me protestën e mbajtur të hënën në Bujanoc.
Mustafi ka thënë për “Interaktiv” të KTV-së se është shqetësuese heshtja e Shqipërisë.
“Shqipëria s’mund të qëndrojë duarkryq ndaj zhvillimeve që po ndodhin në Luginën e Preshevës. Ne si shqiptarë të Luginës kërkojmë mbështetje më të madhe...Në fund të ditës shqiptarët e Luginës janë në të drejtat e tyre, e për shkak se janë në të drejtën e tyre meritojnë mbështetje jo vetëm të Republikës së Kosovës, por edhe të Republikës së Shqipërisë, me të gjithë mekanizmat shtetëror që disponojnë. Shpresojë ditët në vijim të japin mbështetjen e nevojshme për shqiptarët e Luginës”, ka thënë Mustafi.
Ai ka thënë se për të treguar që ka vëmendje për Luginën, Shqipëria duhet të hapë konsullatë atje.
Mustafi: Pati reagime në Serbi pas protestës në Bujanoc, u tha se ajo është e projektuar nga Kurti
Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi, ka thënë se pas protestës së shqiptarëve të hënën në Bujanoc ka pasur reagime në Serbi.
Mustafi ka thënë se ka pasur të atillë që kanë thënë se “protesta ka qenë me direktiva të Prishtinës dhe e projektuar nga kryeministri Kurti”.
“Sot pas proteste pati reagime edhe nga drejtori i shërbimit të Trupit koordinues për Bujanoc, Preshevë e Medvegjë. Ata konsiderojnë që kjo protestë ka qenë me direktiva nga Prishtina e projektuar nga kryeministri Kurti. Konsiderojnë se politika 20-vjeçare e shqiptarëve e ka bërë dëmin në Bujanoc, Preshevë e Medvegjë, kinse nuk kanë ditur t’i shtrojnë kërkesat e tyre. Ka vlerësime se shqiptarët nuk janë të diskriminuar, duhet të bashkëpunojnë, por janë eufemizma patetikë të nxjerrë nga eksponentët e SNS-it të Vuçiqit, që po mundohen t’i japin narracion tjetër nga ajo që ka pasur. E vërteta është se shqiptarët po jetojnë një të vërtetë të hidhur. Në një të vërtetë që dekada janë të diskriminuar, nëpërkëmbur e të shtypur sistematikisht”, tha Mustafi në “Interaktiv të KTV-së.
Ai ka thënë se protesta ka qenë në parimet themelore të BE-së.
Ai ka thënë se e gjitha që kërkohet është që Serbia t’i realizojë tri marrëveshjet që janë nënshkruar me përfaqësuesit legjitimë shqiptarë në Luginë.
Mustafi ka thënë se në Bujanoc nuk ka asnjë shqiptar që punon në kadastër, në agjencinë tatimore, në departamentin e zjarrfikësve, e as në kryq të kuq.
“Në shumë institucione ka numër simbolik të përfshirë ose nuk ka fare. Ky shqetësim i joni është, se në këtë formë po mundohen të shtypin e shtojnë presionin që shqiptarët të migrojnë nga trojet e tyre etnike”, tha Mustafi.