Arbëri

Lirohen politikanët serbë që u arrestuan tek Ura e Ibrit

Arsenijeviq

Sipas Elshanit, Arsenijeviq ka penguar punëtorët e komunës së Mitrovicës së Veriut dhe ka refuzuar urdhrat policore. Ai është arrestuar në afërsi të urës kryesore mbi lumin Ibër, ku punëtorët e komunës ishin duke lyer (Foto: Stefan Veljković - Facebook)

(E përditësuar 13:44) - Aleksandar Arsenijeviq dhe Stefan Vellkoviq nga partia Demokracia Serbe janë liruar pas intervistimit në stacionin policor, ka konfirmuar Policia e Kosovës të enjten pasdite.

Sipas Policisë, Arsenijeviq e Vellkoviq u ndaluan nga Policia pasi penguan punëtorët të cilët ishin të kontraktuar dhe të angazhuar nga autoriteti kompetent, për të pastruar disa grafite me mbishkrime nacionaliste, që krijojnë nxitje dhe urrejtje si “Severna Brigada” e të tjera, të cilat ishin në shesh afër urës.

“Personat në fjalë janë paralajmëruar disa herë që të mos pengojnë punën dhe të largohen, mirëpo të njëjtit kanë vazhduar duke penguar dhe duke mos lejuar realizimin e punimeve, si dhe kanë provokuar dhe kanë nxitur tensione. Njësitet policore relevante, me qëllim të qetësimit të situatës dhe krijimit të mundësive për punë, janë detyruar të veprojnë dhe kanë shoqëruar në stacion policor për intervistim dy persona. Personat e shoqëruar në stacion policor, pas intervistimit janë liruar”, thuhet në njoftim.

Dhjetëra serbë u mblodhën para stacionit policor në Mitrovicë si shenjë pakënaqësie për ndalimin e Arsenijeviqit dhe Vellkoviqit.

Qeveria Kurti në mes të korrikut njoftoi se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë për qarkullim të veturave. 

Megjithatë, vendet e QUINT-it – SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia – më 2 gusht deklaruan se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë moment.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, deklaroi se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Ky mision ka përsëritur se nuk do të ngurrojë të ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme” për t’i luftuar zhvillimet të cilat mund ta cenojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

Ushtarët italianë në kuadër të misionit të KFOR-it ndodhen në urën mbi lumin Ibër, ndërsa afër ndodhen edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Më herët në dialog ishte rënë dakord që Ura e Ibrit të hapet edhe për veturat. Por marrëveshja s'u zbatua.