Arbëri

Deputetët dhe zëvendëskryeministri pajtohen që çështjen e dajakut ta zgjidhin me ndërmjetësim

Rrahje në Kuvend

Foto: Alban Bujari

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, Bekim Haxhiu dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ministri i Financave, Hekuran Murati, janë pajtuar që rastin gjyqësor për sulmin në Kuvend ta zgjidhin nëpërmjet ndërmjetësimit.

Gjyqtari Eroll Gashi iu ofroi palëve 10 minuta kohë për të shqyrtuar mundësinë e ndërmjetësimit.

Ai fillimisht i njoftoi palët se e kanë këtë mundësi ligjore dhe se efekti i marrëveshjes së palëve për ndërmjetësim nënkupton që aktakuza hidhet poshtë.

Avokati i Bislimit, Florent Latifaj, tha se është pro ndërmjetësimit.

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ka thënë se është për procedurë të ndërmjetësimit “nëse të gjitha palët janë të dakorduara”. Njëjtë u shpreh edhe ministri i Financave, Hekuran Murati.


Nis procesi gjyqësor për dajakun në Kuvend

Ka nisur procesi gjyqësor në rastin për përleshjen e ndodhur më 13 korrik 2023 në Kuvendin e Kosovës. Deputetët e Partisë Demokratike Mërgim Lushtaku, Hajdar Beqa, Bekim Haxhiu dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi janë të pranishëm në sallë.

Seanca fillestare ishte paraparë për 3 prill, por ishte shtyrë në mungesë të Bislimit dhe Lushtakut. Të katër zyrtarët e shtetit akuzohen për rastin e përleshjes. 

I dëmtuar në rast është ministri i Financave, Hekuran Murati, që po ashtu është i pranishëm.

Bislimi akuzohet se më 13 korrik 2023 ka përdorur dhunë fizike ndaj Lushtakut që i kishte hedhur ujë Bislimit. Bislimi akuzohet për “sulm”.

Edhe Lushtaku po ashtu akuzohet për “sulm” ndaj Bislimit.

E deputeti tjetër Hajdar Beqa akuzohet “për sulm” ndaj ministrit Hekuran Murati, por edhe se duke ia tërhequr syzat ka kryer veprën “asgjësim apo dëmtim të pasurisë”.

Deputeti tjetër i PDK-së, Bekim Haxhiu, akuzohet për “lëndim të lehtë trupor” për goditjen ndaj Muratit.

Avokatja e deputetit Lushtaku, Besiana Ismaili, ka deklaruar se e posedon aktakuzën por jo edhe provat.

“Edhe përkundër kërkesës e parashtruar prej avokatit Faton Fetahu më 24 prill 2024, nuk jemi pajisur me të gjitha shkresat e lëndës”, ka thënë ajo, derisa prokurorja Nebahate Salihu ua ka dhënë provat.

VIDEO: Nga fillimi deri në fund – si nisi përleshja në Kuvend