QKUK-ja dhe spitalet rajonale, sipas një studimi për shëndetësinë publike, nuk e shfrytëzojnë pothuajse gjysmën e kapaciteteve. Si pasojë e studimit, SHSKUK-ja e ideoi infrastrukturën ligjore për reduktimin e disa shërbimeve në disa qendra spitalore, shkaku i kosto-efektivitetit. E Komuna e Prishtinës e paralajmëroi ndërtimin e spitalit të Prishtinës, por për shërbime nuk është konsultuar me Ministrinë e Shëndetësisë
Sistemi publik shëndetësor është unik, por Ministria e Shëndetësisë dhe Komuna e Prishtinës nuk kanë bashkëpunim lidhur me ndërtimin e paralajmëruar të spitalit të kryeqytetit.
Ditë me parë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, paralajmëroi se për ndërtimin e tij së shpejti do të bëhet tenderimi.
“Spitali i kryeqytetit po bëhet! Sot diskutuam detajet finale të projektit të spitalit të kryeqytetit. Një projekt i shumëpritur që do të bëjë më të lehtë qasjen në shërbimet shëndetësore dytësore për qytetarët e Prishtinës. Kardiologji, pediatri, gjinekologji e shumë reparte të tjera me kushte e standarde të nivelit evropian. Shumë shpejt projekti do të tenderohet dhe do të fillojë ndërtimi”, ka thënë Rama.
Studime të mëhershme të fizibilitetit treguan se si në Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (SHSKUK) ashtu edhe në spitale rajonale ka nivel të ulët të shfrytëzueshmërisë së shtretërve.
E Bordi i SHSKUK-së, me ndryshimet në legjislacionin përcjellës, përcaktoi që jo krejt shërbimet të jenë në kuadër të të gjitha spitaleve rajonale, shkaku i mungesës së kosto-efiktivitetit.
Por një analizë të tillë Komuna e Prishtinës nuk e ka bërë. Të pyetur nëse janë në bisedime me Ministrinë e Shëndetësisë për këtë, në Komunë e pohuan koordinimin.
“Janë mbajtur disa takime me ish-ministrin Latifi dhe ministrin Vitia. Një takim ka qenë i organizuar edhe nga kryeministri i Kosovës, z. Kurti. Çdo gjë është duke u bërë në koordinim me nivelin qendror. Para dy jave ka qenë takimi ku janë prezantuar detajet finale të projektit. Janë dhënë dhe disa komente të cilat do të shkrihen shpejt. Porsa të pranojmë versionin final, do të bëhet tenderimi”, thuhet në përgjigjen nga Komuna e Prishtinës.
E të pyetur nga KOHA se çfarë njohurish kanë për shërbimet që do t’i ofrojë ky spital, në Ministrinë e Shëndetësisë mohuan se ka një koordinim, siç pretendohet në përgjigjen zyrtare nga Komuna e Prishtinës.
“Themelimi/ndërtimi i spitalit të Prishtinës ka bazë ligjore në Ligjin për Kryeqytetin e Republikës së Kosovës. Ndërsa për çështjet e tjera, luteni t’i drejtoheni Komunës së Prishtinës, pasi që Ministria e Shëndetësisë nuk ka qenë pjesë e këtij aktiviteti”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.
Sipas studimit të fizibilitetit, për të cilin vite më parë u paguan rreth 700 mijë euro nga Ministria e Pushtetit Lokal, spitali do ta ketë kujdesin emergjent, mjekësinë interne, përfshirë kardiologjinë, gastroenterologjinë dhe pulmologjinë, neurologjinë, kirurgjinë e përgjithshme, dhe të tjera. Parasheh edhe shërbime opsionale.
KOHA raportoi vitin e shkuar për një studim fizibilitetit mbi shëndetësinë, që pati konstatuar se në Kosovë nuk shfrytëzohet as gjysma e kapaciteteve ekzistuese spitalore. Të dhënat e studimit treguan se në sektorin e shëndetësisë ka të punësuar më shumë mjekë e infermierë sesa që janë nevojat.
Studimi i ekspertit gjerman për ekonomi shëndetësore, Thomas Weismann, u ofroi përgjigje edhe thirrjeve për ngritjen e spitaleve të reja. Sipas statistikave të dhëna, del se afro 1400 shtretër në spitale publike janë të pashfrytëzueshëm.