Kryetari i Shoqatës së Historianëve të Deçanit, Shkodran Imeraj, ka thënë se edhe ngastrat ku janë të vendosura shtatoret e heronjve Sali Çekaj dhe Mentor Tolaj në Deçan, i janë bartur në pronësi Manastirit të Deçanit.
Ai ka thënë se ky problem ka krijuar precedent edhe për raste të tjera.
“Mua më është konfirmuar dje (të mërkurën) nga zyrtarët e Komunës së Deçanit, ngastrat nq qendër të Komunës së Deçanit ku është shtatorja e Salih Çekut ka qenë pjesa e hotelit dh ku është shtatorja e Mentor Tolajt, ka qenë pjesë e bibliotekës, aty një pjesë nuk është lejuar as të shtrohet pllaka. Dje i janë bartur në pronësi. Ne e kemi ngritur zërin në vazhdimësi, por tash të kthehemi në problemin e zbatueshmerisë së këtij problemi. Ky problem pos që është precedent për të gjitha kishat në Kosovë të periudhës së viteve 90-ta që janë ndërtuar, e hap edhe një problem...çka do të bëjmë me të gjitha pronat që i janë marrë Kishës Katolike dhe Bashkësisë Islame të Kosovës në periudhën e Jugosllavisë”, ka thënë Imeraj në “Konfront” të KTV-së.
Baraliu: Ka shkelje juridike në dhënien e pronave Manastirit

Njohësi i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, ka thënë se në vendimin për dhënien e pronave Manastirit të Deçanit ka shkelje juridike.
Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Baraliu ka thënë se Kisha Ortodokse Serbe nuk ka qenë palë në procesin legjitime në ujdinë e arritur me Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit, të udhëhequr nga UNMIK-u, ku si këmbim të 24 hektarëve, Kisha i ka dhuruar Komunës së Deçanit disa prona brenda qytetit.
Sipas tij, ky vendim nënkupton cenim të sovranitetit.
“Që nga zanafilla është nisur pa bazë kushtetuese juridike. Përfaqësuesi i UNMIK-ut nuk ka qenë palë në procedurë, Kisha Ortodokse Serbe nuk ka qenë palë në procedurë dhe asnjëherë nuk është deklaruar dhe nuk ka pranuar që të jetë palë në procedurë, për të qenë palë në procedurë duhet të jetë e regjistruar, në Ligjin për Besimet Fetare nuk janë as bashkësitë tjera të regjistruara, e këta më hiç se hiç”, ka thënë ai.
Sipas Baraliut, vendimi për dhënien e këtyre pronave do të ketë pasoja negative dhe kërkesa të reja nga Kisha Ortodokse Serbe.
“Gjykata Supreme dhe Gjykata Kushtetuese në mënyrë ikompetente dhe me një precedent të paprecedent, me pasoja të pariparueshme që do të përdoret në çdo rast tjetër dhe ka për t’u përdorur nga Kisha Ortodokse Serbe, e cila nuk ka qenë palë e legjitimuar në procedurë se nuk e njeh Kosovën si shtet, janë pjesë e deklaruar e Kishës Ortodokse të Serbisë. Ka pasur parregullsi juridike, jo vetëm shkelje procedurale, por edhe materiale. Do të ketë pasoja negative dhe do të ketë kërkesa të reja të pandalshme nga Kisha Ortodokse Serbe, e cila është organizatë politike, jo vetëm nacionaliste, në shërbim të shtetit”, është shprehur ai.
Mala: Kisha ortodokse, instrument në duar të pushtetit të Serbisë

Historiani Muhamet Mala ka thënë se duhet bërë dallim mes kishave ortodokse serbe dhe kishave në perëndim, pasi sipas tij, kjo serbe “ka dalë nga misioni shpirtëror”.
Ai ka deklaruar se kishat ortodokse serbe janë instrumente në duart e pushtetit të Serbisë, duke shtuar se ajo e Manastirit të Deçanit pretendon se i takojnë edhe 400 hektarë tokë, bazuar në aktdhuratat e mbretërve.
“Kishat janë kisha dhe kanë dallim, por si duket ndërkombëtarët e kanë konceptin e një kishe paqësore që është e fokusuar në çështje fetare si janë kishat në perëndim. Koncepti i kishës ortodokse serbe dallon nga kishat perëndimore. Sikur të kishim të bënim me një kishë protestante ose katolike ose të Gjermanisë do të ishte në rregull, por kjo është kishë instrument në duart e pushtetit serb”, ka thënë Mala.
Sipas tij, Serbia e ka përdorur çështjen fetare për synime politike.
Plani hegjemonist i Serbisë, sipas Baraliut

Njohësi i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, ka treguar të enjten në “Konfront” të KTV-së për planin hegjemonist të Serbisë.
Në debatin mbi kontestin rreth pronës së Manastirit të Deçanit, Baraliu ka thënë se qysh para luftës së fundit në Kosovë e edhe pas kohës së luftës, Serbia ka pasur plane hegjemone me 400 hektarë të tjerë përveç këtyre 24 për të cilët është dhënë urdhër nga Qeveria që t’i kalojnë në pronësi Manastirit.
Ai ka thënë se me anë të këtyre hektarëve tentohet që të ketë dalje në Malin e Zi dhe Serbi.
“Marrëveshja e Brukselit e fundit dhe Aneksi i Ohrit parashohin që të ketë ekstra territorialitet, pra më shumë se 800 hektarë janë marrë vesh që të ketë shtrirje. Tani çfarë do të thotë kjo edhe 400 të tjera, dhe ato 800, dalja, pra lidhja me Malin e Zi, lidhja me Serbinë, janë plane hegjemone që Serbia i ka pasur në plan qysh para luftës dhe pas luftës. Pra, janë edhe 400 plus këtyre 24”, ka thënë ai.
Imeraj për tokat e Manastirit: Kushtetuesja e solli para aktit të kryer politikën

Kryetar i Shoqatës së Historianëve në Deçan, Shkodran Imeraj, ka thënë se Gjykata Kushtetuese e ka sjell para aktit të kryer politikën me vendimin për tokat e Manastirit të Deçanit në 2016-n.
Ai ka thënë të enjten në “Konfront” të KTV-së se Kushtetuesja “i ka vënë vulë zbatimit të vendimit së Millosheviqit”.
“Këtu është problemi që Kushtetuesja me këtë vendim e ka sjell para aktit të kryer jo vetëm politikë por edhe shoqerinë në përgjithësi. I ka rënë vulë zbatimit të vendimit të Millosheviqit të periudhës së 90-ta”, ka thënë Imeraj.
Kreu i Shoqatës së Historianëve ka theksuar se është dashur të trajtohet ndryshe ky problem.