Aktivistja për barazi gjinore, Mirishahe Syla, ka hedhur akuza ndaj Qeverisë, duke thënë se tentoi ta kontrollonte marshin në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.
Aktivistet feministe të premten më 8 mars organizuan marshin tradicional në Ditën Ndërkombëtarë të Gruas. Por pasi arritën te objekti i Qeverisë, ato u përplasen me Policinë. Syla ende nuk e kupton se pse Policia ka reaguar në atë mënyrë.
“Marshi ka qenë tradicional. Këtë vit u mendua të fokusohet te fertilizimi i asistuar. Nuk e dimë se si ndodhi, por në fund të marshit u përballëm me disa njësi speciale që ishin të pajisur me të gjitha llojet e armëve. As nuk pat shenja që do të eskalonte situata. S’ka pasur numër të madh të njerëzve për t’i rrezikuar institucionet. Policët nuk hezituan me qenë të dhunshëm, madje me na lëndu disa prej aktivistëve”, ka thënë ajo në “Interaktiv” të KTV-së.
Për reagimin e policisë, aktivistja e fajëson Qeverinë.
“Ne kemi kontaktuar Qeverinë për t’iu kërkuar shpjegim, pasi siç e dimë që Ministria e Brendshme e kontrollon policinë. Na kanë thënë që ne nuk e dimë që paska polici. Nuk ka kuptim që njerëzit e Qeverisë të thonë s’e kemi ditur që ka polici para Qeverisë. Nuk mendoj që janë të frikësuar. Por nuk po pranojnë organizime të tillë në formë proteste, sidomos feministët. Kjo sjellje po vjen prej një qeverie që pushtetin e ka marrë përmes këtyre aktiviteteve. Po duan me na dërgu mesazh se protestat e tilla nuk duhen të ndodhin nga një qeveri që e proklamon veten si progresive, demokratike, madje edhe feministe”, ka thënë Syla.
Sipas Sylës, policia sot ua ndaloi një të drejtë kushtetuese, ndërsa akuzoi kryeministrin Albin Kurti për hipokrizi.
“Ke e pamundur me u fut në oborrin e Qeverisë. Ne thjesht deshëm me iu tregu që kemi të drejtë me qenë në atë pjesë pasi është publike. Paralajmërimi për marshin ka qenë publik. Policia ta ndalon një të drejtë të garantuar me Kushtetutë pa asnjë arsyetim. Kryeministri flet se si gratë po dhunohet, ndërsa ndalon aktivistet që punojnë për to. Kjo është hipokrizi Qeveria e kontrolloi marshin e sotëm”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, Qeverisë i dështuan përpjekjet për t’u identifikuar me këtë marsh.
“Tash nuk po e shohin të nevojshme me ardh, përderisa vitin e kaluar kanë qenë pjesë e tij”, ka thënë Syla pasi u pyet për mungesën e prezencës së zyrtarëve qeveritarë në marshin e sotëm.
Syla ka thënë se marshi i sotëm “nuk sjell vota”.
“Kjo qeveri e ka treguar më së miri se si të luhet me emocionet e njerëzve. Kur ka raste të vrasjeve, kur njerëzit janë ende nën emocion, zyrtarët marrin pjesë në organizime, Qeveria i shfrytëzon për vota. Marshi i sotëm s’është populist, nuk sjell vota”, ka theksuar aktivistja e barazisë gjinore, duke thënë se Qeveria s’po punon për barazi gjinore.