Arbëri

Kurti u lavdërua për ndarjen e buxhetit për komunat, AKK-ja thotë se s’është për t’u trumbetuar

Asociacioni i Komunave të Kosovës nuk është i kënaqur me ndarjet buxhetore për investimet kapitale në komuna. Drejtori ekzekutiv në AKK, Sazan Ibrahimi, ka thënë se nuk ka koordinim mes nivelit qendror dhe atij lokal e se mungon edhe bashkëpunimi.

Të mërkurën, kryeministri Albin Kurti në një takim me kryetarë të komunave është lavdëruar për rritjen e buxhetit të ndarë për komunat. Por, Ibrahimi ka thënë se Asociacioni nuk ka qenë i ftuar në këtë takim e se nuk ka pasur ndonjë rol në të.

Ai ka deklaruar se rritja buxhetore për të cilën ka folur Kurti në takim nuk është rritje enorme që duhet trumbetuar.

“Si Asociacion nuk kemi qenë të involvuar në organizimin e këtij takimi, nuk kemi qenë të njoftuar fare, as të ftuar. Pra ne nuk kemi pasur asnjë rol si Asociacion. Pas takimit kuptova se një pjesë e madhe e kryetarëve nuk kishin marrë pjesë në këtë takim. Koha nuk ka qenë më e përshtatshme për ta mbajtur këtë takim apo informata për takimin ndoshta ka qenë e vonshme. Nga përvojat, njoftimi ka shkuar pothuaj një muaj më herët ku është kërkuar që në këtë datë do të mbahet takimi dhe kryetarët e komunave iu kanë përgjigjur ftesës”, ka thënë ai në Interaktiv.

Sipas Ibrahimit, 22 komuna do të kenë më pak mjete financiare për investime të reja kapitale.

“Për këtë vit as Ferizaj as Gjakova nuk kanë asnjë cent për investime të reja kapitale. Tash, a janë duke keqinformuar kryetarët? Jo vetëm këto dy komuna, por ka edhe të tjera. 22 komuna do të kenë minus mjete financiare për investime të reja kapitale. Ferizaj do të ketë mbi 700 mijë euro minus, Hani i Elezit rreth gjysmë milion euro minus, etj. Këto janë fakte”, ka shtuar ai.

Ibrahimi ka deklaruar se ndarjet buxhetore janë bërë edhe në baza partiake.

“Sa i përket ndarjes buxhetore në baza partiake, po është e vërtetë. Një pjesë e madhe e buxhetit shkon nëpër ministri të linjës. Për shembull në Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Infrastrukturës dhe këto ministri e të tjera hartojnë kritere pa i pyetur komunat fare e pastaj komunat duhet të aplikojnë me projekte duke iu përshtatur kritereve dhe aty aludohet nga shumica e kryetarëve që këto kritere janë jo-objektive”.

Prioritet Ibrahimi e sheh themelimin e grantit të katërt qeveritar që do t’u jepte komunave autonomi për investime kapitale.