Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mbyllen komunat paralele të Serbisë në Pejë, Istog e Klinë

Në një aksion të gjerë autoritetet e Kosovës ua kanë vënë drynin tri objekteve në rajonin e Dukagjinit, në të cilat funksionuan komunat paralele të Serbisë, për Pejë, Istog dhe Klinë. Pasi u bastisën, nga objektet u nxorën dokumente, kompjuterë e gjësende të tjera. Gjatë aksionit pati edhe konfrontim verbal të serbëve me Policinë

Shiritat e sigurisë u janë vënë objekteve në të cilat vepronin tri komuna ilegale të Serbisë në rajonin e Dukagjinit. Zyrat që shfrytëzoheshin nga strukturat paralele në fshatra të Pejës, Istogut e Klinës u bastisën nga Policia mëngjesin e së premtes.

Operacioni i Prokurorisë së Pejës më së shumti zgjati në Istog. Ai filloi rreth orës 10 të mëngjesit e u përmbyll pak minuta pas orës 17. Nga zyrat në fshatin Osojan u morën dokumente, kompjuterë, printerë e gjësende të tjera, si dollapë, tavolina e karrige.

Derisa gjithçka po shkonte drejt fundit e dyerve të objektit dykatësh po i viheshin shiritat, reaguan banorë serbë. Derisa provuan të afrohen te zyrat e sapombyllura, u konfrontuan verbalisht me policët. Pas një kontrolli, ata u liruan derisa zyrtarët policorë përfunduan procedurat përfundimtare.

Një aksion i ngjashëm, por më i shkurtër në realizim u zhvillua edhe në Gorazhdec të Pejës e Videjë të Klinës.

Nga larg kompleksi i objekteve në Gorazhdec dukej i braktisur, por në njërën prej saj veprimtarinë ilegale e ka zhvilluar komuna paralele e Pejës.

Edhe Policia mbyll disa komuna e zyra ilegale, Prokuroria njofton se nuk dha autorizim LAJMET E MBRËMJES Policia mbyll disa komuna e zyra ilegale, Prokuroria njofton se nuk dha autorizim

Mbyllja e komunave ilegale serbe u përcoll nga dy ministra, ai i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Mnistri Sveçla ka thënë se koha e paligjshmërisë ka përfunduar dhe se institucioni i vetëm i Serbisë brenda Republikës së Kosovës do të jetë ambasada e saj në Prishtinë.

“Ashtu siç kemi theksuar nuk ka vend për institucione ilegale në Republikën e Kosovës. Vazhdojmë me rend dhe ligj për të gjithë pa asnjë dallim dhe diskriminim”, ka deklaruar Sveçla teksa qëndroi në Gorazhdec të Pejës.

E ministri Krasniqi ka njoftuar se në Gorazhdec, Osojanë e Videjë janë mbyllur zyrat ilegale të Serbisë.

Edhe Mbyllen strukturat paralele në 10 komuna Arbëri Mbyllen strukturat paralele në 10 komuna

“Në Kosovë nuk ka vend për institucione, të cilat nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

Një javë më parë autoritetet mbyllën një objekt në Vranisht të Dragashit, në të cilin ushtrohej veprimtaria e komunave paralele serbe për Dragash, Prizren, Suharekë dhe Rahovec. E në Zveçan është larguar bilbordi me fotografitë e politikanëve e personaliteteve të tjera serbe dhe ruse, përfshirë ato të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe atij rus, Vladimir Putin.