Në një aksion të gjerë autoritetet e Kosovës ua kanë vënë drynin tri objekteve në rajonin e Dukagjinit, në të cilat funksionuan komunat paralele të Serbisë, për Pejë, Istog dhe Klinë. Pasi u bastisën, nga objektet u nxorën dokumente, kompjuterë e gjësende të tjera. Gjatë aksionit pati edhe konfrontim verbal të serbëve me Policinë
Shiritat e sigurisë u janë vënë objekteve në të cilat vepronin tri komuna ilegale të Serbisë në rajonin e Dukagjinit. Zyrat që shfrytëzoheshin nga strukturat paralele në fshatra të Pejës, Istogut e Klinës u bastisën nga Policia mëngjesin e së premtes.
Operacioni i Prokurorisë së Pejës më së shumti zgjati në Istog. Ai filloi rreth orës 10 të mëngjesit e u përmbyll pak minuta pas orës 17. Nga zyrat në fshatin Osojan u morën dokumente, kompjuterë, printerë e gjësende të tjera, si dollapë, tavolina e karrige.
Derisa gjithçka po shkonte drejt fundit e dyerve të objektit dykatësh po i viheshin shiritat, reaguan banorë serbë. Derisa provuan të afrohen te zyrat e sapombyllura, u konfrontuan verbalisht me policët. Pas një kontrolli, ata u liruan derisa zyrtarët policorë përfunduan procedurat përfundimtare.
Një aksion i ngjashëm, por më i shkurtër në realizim u zhvillua edhe në Gorazhdec të Pejës e Videjë të Klinës.
Nga larg kompleksi i objekteve në Gorazhdec dukej i braktisur, por në njërën prej saj veprimtarinë ilegale e ka zhvilluar komuna paralele e Pejës.
Mbyllja e komunave ilegale serbe u përcoll nga dy ministra, ai i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Mnistri Sveçla ka thënë se koha e paligjshmërisë ka përfunduar dhe se institucioni i vetëm i Serbisë brenda Republikës së Kosovës do të jetë ambasada e saj në Prishtinë.
“Ashtu siç kemi theksuar nuk ka vend për institucione ilegale në Republikën e Kosovës. Vazhdojmë me rend dhe ligj për të gjithë pa asnjë dallim dhe diskriminim”, ka deklaruar Sveçla teksa qëndroi në Gorazhdec të Pejës.
E ministri Krasniqi ka njoftuar se në Gorazhdec, Osojanë e Videjë janë mbyllur zyrat ilegale të Serbisë.
“Në Kosovë nuk ka vend për institucione, të cilat nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.
Një javë më parë autoritetet mbyllën një objekt në Vranisht të Dragashit, në të cilin ushtrohej veprimtaria e komunave paralele serbe për Dragash, Prizren, Suharekë dhe Rahovec. E në Zveçan është larguar bilbordi me fotografitë e politikanëve e personaliteteve të tjera serbe dhe ruse, përfshirë ato të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe atij rus, Vladimir Putin.