Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se “ia ka bërë dëmin më të madh ndonjëherë Kosovës”, me çështjen e hartimit të drafstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Hoxhaj ka thënë se Kurti ka ikur nga përgjegjësia duke shmangur hartimin e draftit të statutit të Asociacionit dhe duke ua lënë ndërkombëtarëve.
“Kurti ka kërkuar me qëllim që t’i ikën përgjegjësisë politike, nga vetë ndërmjetësi Miroslav Lajçak, që ta bëjë draftin dhe dhuratën që ia ka bërë Kurti - që është dëmi më i madh që ka pasur ndonjëherë Kosova – është që përtej autonomisë politike e territoriale, e që është në tavolinë dhe që është dhuratë greke për trojanët, që Kurti po ia bën Kosovës, mendoj se dëmi tjetër i madh është referimi në 1244 që në fakt është lëndim i rendit juridik dhe kushtetues në Kosovë. Për të gjitha këto e ka përgjegjësinë Kurti”, ka thënë Hoxhaj në Interaktiv të KTV-së të premten.
Ai ka thënë se Kurti “për aq sa do të qeverisë s’do ta shtyjë përpara asnjë marrëveshje e asnjë temë me Serbinë”. Sipas tij, Kurti ka dështuar të negociojë në Ohër “pasi ka hequr dorë nga njohja e ndërsjellë dhe se vetëdijshëm ka pranuar një fjali që thotë se palët kanë qëndrime të ndryshme për statusin”.
Sipas Hoxhajt, Marrëveshjet e Brukselit, Ohrit dhe drafstatuti i Asociacionit tashmë janë kusht që Kosova i ka në raport me botën e jashtme, për integrim evropian e për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës. Ai ka thënë se “dëmet që Kurti ia ka bërë Kosovës më 2023, kanë pasoja në hartë kohore në 10 vjetët e ardhshëm”.
Edhe
Hoxhaj: PDK-ja nuk zbaton asnjë marrëveshje me Serbinë që nuk është nënshkruar nga Kosova
Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të fokusohet në qasjen që ta negociojë statutin e Asociacionit.
“Prej fillimit Kurti s’ka dashur ta merrte nën pronësi hartimin e drafstatutit të Asociacionit. Ua ka dorëzuar evropianëve që ta bëjnë dhe ata ia kanë dorëzuar atij dhe Kosovës një autonomik të plotë politike, territoriale, me referencë ndërkombëtare 1244 dhe mendoj se ky është dështim i tij”, ka shtuar Hoxhaj.
Sipas tij, Qeveria duhet ta kuptojë që trendi global gjeopolitik është kundër interesave të Kosovës aktualisht.
Hoxhaj ka komentuar edhe reagimin e fundit të Kurtit në Facebook, në të cilën u ofrua që të shkruajë draft për Asociacionin e Bashkimit Evropian i kërkoi të merret me presidentin e Serbisë. Sipas Hoxhajt, deklarata e Kurtit ishte “dëshpërim dhe dorëzim”.
“Kërkonte që sa më shpejt të bëheshin publike konkluzat rreth hetimit të agresionit të Serbisë në Banjskë. Kërkonte që Serbisë t’i vine sanksione e Kosovës t’i hiqeshin nga BE-ja dhe SHBA-ja. E mandej ajo pjesa e fundit për drafstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe sulmet direkte mbi ndërmjetësin Lajçak se çka do të duhej të bënte në raport me Serbinë dhe Bosnjën, tregojnë se Kosova jo që është në udhëkryq të madh politik, por moçal të thellë politik, në të cilin e ka zhytur një politikë e gabuar e Kurtit, e brendshme, në këto tre vjetët e fundit”, ka shtuar Hoxhaj.
Hoxhaj: Qëllimi i Osmanit është sa për të bërë ndonjë lajm
Duke komentuar refuzimin që PDK-ja ia bëri ftesës së presidentes Vjosa Osmani për takim për të diskutuar rreth draftit të Asociacionit, nënkryetari i kësaj partie, Enver Hoxhaj, ka thënë se qëllimi i Osmanit është sa për të bërë ndonjë lajm.
Edhe
Hoxhaj: Lajçaku ka përfaqësuar interesat e Serbisë, Kurti ka rënë në kurth
Hoxhaj ka akuzuar Osmanin e kryeministrin Albin Kurti se kanë prishur konsensuset e brendshme dhe ato me partnerët të jashtëm.
“Ky vend ka ec përpara qe 30 vjet kur ka pas konsensus të brendshëm dhe konsensus me partnerët e jashtëm. Osmani ka për qëllim për të bërë ndonjë lajm, sa për të thënë që po bën përpjekje që po ushtron rolin e presidentes së vendit. Nëse Osmani e Kurti do të kërkonin konsensus të mirëfilltë me opozitën, ka rrugë dhe mënyra të tjera për ta bërë. Mirëpo, meqë përpjekja e presidentes Osmani ka qenë ndër tjerash t’i ftojë liderët për të folur për një dokument ku para dy muajsh u diskutua dhe dha mendim secili, këtu kjo klasë politike që po udhëheq Kosovën qëllimshëm e ka prish konsensusin e brendshëm dhe konsensusin me partnerët e jashtëm”, ka thënë Hoxhaj në “Interaktiv” të KTV-së.
Sipas deputetit të PDK-së, elitës politike në Kosovë nuk i beson Perëndimi për asnjë temë.
“Nëse Osmani shkon në takimin e fundit të Këshillit të Evropës, edhe nuk e thotë brenda që ka informata se Serbia do ta sulmojë Kosovën, por e thotë në media, kurrkush nuk e merr seriozisht. E kemi një elitë politike, e them pa tendencë, të cilës nuk i beson Perëndimi. Osmanit e Kurtit nuk i beson Perëndimi për asgjë”, ka shtuar Hoxhaj.
Hoxhaj ka thënë se për tre vjet qeverisje nën Kurtin nuk ka pasu “asnjë progres, asnjë rezultat, asnjë reformë të brendshme dhe asnjë sukses në politikë të jashtme.
“Njëjtë do të jetë edhe vitin e ardhshëm”, ka shtuar ai.
Edhe
Hoxhaj: S’e përjashtoj mundësinë që Kurti pas zgjedhjeve ta përmbysë rendin kushtetues
Hoxhaj ka propozuar që opozita të ketë një bllok të përbashkët “për ta nxjerrë vendin nga kriza”.
“Çka ka nevojë ky vend është që ta ketë një elitë politike që e nxjerr këtë vend nga moçali politik në të cilin e ka futur prej që ka ardhur në pushtet Albin Kurti dhe jemi duke u fundosur më shumë në këtë moçal politik. Do duhej të ketë bllok të përbashkët opozitar për ta nxjerrë vendin nga kriza në të cilën jemi”, ka deklaruar Hoxhaj.