Arbëri

Krasniqi: Qeveria të mos diskriminojë komunat në baza politike partiake

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, gjatë vizitës së zhvilluar të mërkurën në komunën e Vushtrrisë, ka bërë thirrje për Qeverinë që të mos diskriminojë komunat në baza politike partiake, por të bëhet partnere e tyre në shërbim ndaj qytetarëve.

Në këtë vizitë ku bashkë me kryetarin e komunës, Ferit Idrizi kanë ndjekur nga afër punimet infrastrukturore për transformimin e qytetit, Krasniqi ka thënë se në fundvit po shihet se ka pasur regres në shumë fusha, ashtu siç sipas tij, dëshmohet nga raportet ndërkombëtare.

“Nëse duhet të ketë ndonjë shembull se si duhet të jemi në shërbim të tyre, mund të vijnë në Vushtrri ta shohin përmirësimin e jetës së qytetarëve. Ne sot jemi në përfundim të vitit 2023 dhe, fatkeqësisht, ky vit nuk është prej viteve të suksesshme të Kosovës. Është vit ku ka pasur regres e stagnim në shumë fusha, siç është dëshmuar edhe nga raportet ndërkombëtare. Por, besoj që secili prej nesh duhet të jetë në nivelin e detyrës për të dhënë maksimumin siç po e jep në Komunën e Vushtrrisë qeverisja lokale në krye me Kryetarin Idrizi”, është shprehur Krasniqi, njoftohet nga partia më e madhe opozitare.

Ndërsa kryetari i komunës, Ferit Idrizi, ka thënë se të gjitha projektet e nisura po shkojnë sipas planifikimeve.

“Së bashku me Kryetarin Memli Krasniqi, sot kemi përcjellë punimet në rrugën ‘Pestova’, rrugën ‘Drenica’, rrugën ‘Avni Saraqi’ dhe punimet për ndërtimin e parkingut të automjeteve në këtë pjesë të sheshit të qytetit. Siç po e shohim, punimet janë duke shkuar sipas planit dinamik dhe qytetarët do të jenë shumë të kënaqur me punën që ne po e bëjmë”, ka thënë Kryetari Idrizi.