Arbëri

Sveçla: Kushdo që tenton destabilizimin, e ka vendin në burg

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se kriminelët duhet të jenë në burg, e se nuk do lejojnë që Kosova të bëhet vend i pasigurt.

Ai ka folur për rastin e grabitjes së armatosur të një argjendarie në Suharekë, ku një zyrtar policor mbeti i plagosur dhe një i lënduar. Një i dyshuar u vra.

Sveçla ka thënë se aktet e tilla janë absolutisht të papranueshme dhe përgjigjja e vetme ndaj kriminelëve të tillë është sjellja para drejtësisë. Ka shtuar se janë arrestuar shtatë persona e një po kërkohet.

“Për këtë, Policisë së Kosovës i kam ofruar mbështetjen time të plotë institucionale si dhe kam kërkuar angazhim maksimal në zbardhjen e këtij rasti. Sot jam njoftuar që Policia e Kosovës pas një pune intenzive hetimore ka lokalizuar plaçkitësit dhe ka realizuar operacionin e arrestimit të tyre. Njëri nga të dyshuarit ka shtënë drejt zyrtarëve duke plagosur një zyrtar policor dhe me këtë rast i njejti është neutralizuar. Deri më tash janë arrestuar shtatë persona ndërsa Policia është në kërkim të personit tjetër të përfshirë në këtë rast”, ka shkruar në Facebook.

Sveçla ka deklaruar se krimet nuk do mbesin pa ndëshkim.

“Vendi i kriminelëve është burgu, dhe ky është mesazh i qartë dhe i prerë që duhet të marrë kushdo që tenton që për çfarëdo arsye të destabilizojë sigurinë në vendin tonë. Krimet nuk do të mbesin pa u ndëshkuar sepse Republikën e Kosovës nuk do ta lejojmë të bëhet vend i pasigurisë”.