3 perditesime
23:20

Trendafilova: Prokuroria s’ka ngritur asnjëherë aktakuzë për Shtëpinë e Verdhë

E pyetur nëse kjo gjykatë u themeluar për shkak të raportit të ish-senatorit Dick Martty edhe pse në aktakuzën ndaj Thaçit dhe të tjerëve asnjë nga supozimet që u ngritën për heqjen e organeve dhe trafikimin nuk janë përfshirë, kryetarja e Gjykatës Speciale, Katerina Trendafilova ka thënë se Gjykata e Panelit të Apelit e ka bërë shumë të qartë se nëse qëllimet e anëtarëve të Parlamentit kanë qenë kufizimi i mandatit të Gjykatës, vetëm në gjetjet e Raportit të Martyt.

Ka thënë se Prokuroria nuk ka ngrehur asnjëherë akuzë për Shtëpinë e Verdhë.

Ka shtuar se Dick Marty vetë e ka bërë shumë të qartë se ky nuk ishte një hetim i vërtetët profesional, sepse sipas saj, Marty vetë nuk është jurist dhe për këtë ia ka dorëzuar atë Task Forcës Speciale Hetuese që të bëjë një hetim të vërtetë.

“Por po e përsëris se çfarë Gjykata e Apelit tha është se nëse ai ishte qëllimi i draftuesve dhe më pas i deputetëve, kjo nënkupton që krimet janë të bashkëngjitura në nenin 1”, ka thënë ajo

Sipas saj, deputetët e Kosovës kanë votuar për nenin numër një që është: krimet e lidhura me Raportin e Këshillit të Evropës. Prandaj ka shtuar se, edhe afatet kohore lidhen me Raportin e Dick Martyt.

“Po ashtu duhet thënë se kjo gjykatë është fuqizuar me vendimet e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Kushtetuese. Duke bërë saktësisht poentën e njëjtë, sepse ne juristët shpeshherë mund të bëhemi shumë të mërzitshëm, por nëse e lexojmë ligjin dhe duhet të bëjmë një interpretim që sot do t’ju kënaqë juve, por nesër do ta kënaqë dikë tjetër. Jo, pavarësisht nganjëherë situatave të vështira, ne duhet të jemi të vërtetë, ne duhet të mbajmë betimin që kemi dhënë para se të marrim pozitën që kemi”, ka thënë ajo.

Ka deklaruar se sa i përket heqjes së organeve, Shtëpisë së Verdhë në Shqipëri, gjithçka do të qartësohet.

Ka thënë se njerëzit duhet të jenë të brengosur rreth atyre krimeve, të cilat do të pastrohen me verdiktin final, “nëse thuhet se nuk ka pasur krime të këtij lloji, por le të shohim rezultatin final”.

Ka thënë se Prokuroria nuk ka ngritur ndonjë akuzë për Shtëpinë e Verdhë dhe çfarë supozohej se ka ndodhur atje.

Sipas saj, Prokuroria nuk erdhi kurrë me akuza të tilla.

“Kjo gjë është vështirë për t’u thënë, sepse mund të ketë hetime që janë duke vazhduar nga autoritetet e Kosovës, nga autoritetet e Shqipërisë, sepse Shtëpia e Verdhë është në territorin e Shqipërisë, dhe nuk dua të bëj ndonjë paracaktim këtu. Unë në rini kam qenë prokurore dhe e di se nuk duhet të përfshihemi në aktivitetet e kolegëve të tjerë të cilët ose që janë duke u hetuar nga të dyja palët dhe zakonisht se ky hetim është konfidencial kur bëhet nga secili nga ne, apo nëse do të bëhet në të ardhmen. Nuk e di. Por, të paktën në akuzë deri më tani nuk ka akuza për Shtëpinë e Verdhë”, ka thënë ajo.


Trendafilova: Specialja po merret me përgjegjësinë e krimeve individuale

Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, ka thënë se Specialja nuk po i shënjestron Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por po merret me përgjegjësinë e krimeve individuale.

“Jemi me shumë zell duke përcjellë se si njerëzit në Kosovë ndihen rreth aktiviteteve tona. Dhe këtë gjë e marrim me një përgjegjësi të jashtëzakonshme, sepse ne duhet që të pastrojmë gjithçka që nuk është reflektim i fakteve. Dhe, siç u pajtuam me ju, do të flasim rreth fakteve. Deri më tani, si për habinë time, unë po lexoja mbrëmë mediat në aeroport derisa po vija, se Dhomat e Specializuara po targetojnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, pavarësinë e shtetit. Jo, e kam sqaruar këtë në udhëtimin tim të parë këtu, se Gjykata është duke u marrë me përgjegjësinë e krimeve individuale”, ka thënë Trendafilova për “Interaktiv” të KTV-së.

Ajo ka thënë se nuk beson se edhe nëse dënohen ish-eprorët e UÇK-së do të dëmtoheshin themelet e shtetit të Kosovës.

“Nuk do ta shihja kështu. Sepse kjo ishte një luftë për pavarësi që ishte udhëhequr nga aq shumë njerëz që mbështetej nga gjithë popullata e vendit tuaj. Por, nuk dua të dukem sikur po paracaktoj rezultatin. Nuk e di se si këto raste...”, tha Trendafilova.

Trendafilova ka thënë se të gjithë që kryejnë krime lufte duhet japin përgjegjësi. Ajo ka thënë se do të duhej dënuar edhe presidentin e Ukrainës, Volodymy Zelensky, në rast se konstatohet se ka kryer krime.

“Më lejoni t’ju them, nëse presidenti Zelensky do të kryente krime, ka nxitur kryerjen e krimeve, do të paraqitej si ideator i organizimit të krimeve dhe sulmeve ndaj popullatës civile, atëherë këto janë krime tipike të luftës. Atëherë le të jap përgjegjësi zotëri Zelensky. Pse jo? Ne nuk dallojmë”, tha ajo.

Trendafilova ka thënë se ajo sa ishte gjykatëse e Gjykatës Penale Ndërkombëtare është marrë me raste ku gjykoheshin krerët e shteteve dhe nuk ishte aspak e shqetësuar.


Trendafilova: Specialja mund të jep edhe dënime me burgim të përjetshëm

Trendafilova sa i përket dënimit maksimal të mundshëm për të akuzuarit, ka thënë se mund të jetë dënim me burgim të përjetshëm.

“Vetëm për rastet më ekstreme të dënimeve, mund të jenë dënimi me burgim të përjetshëm, natyrisht duke pasur parasysh çdo krim të ndarë, ka konsideratë për dispozitat përkatëse të Kodit Penal të Kosovës dhe Kodit Penal të kohës kur dyshohet se janë kryer krimet dhe ky është udhëzimi që e kemi marrë në konsideratë kur vendosim për specifikat. Kështu kanë vendosur kolegët në rastin e zotëri Mustafës, kështu është vendosur edhe për rastin e parë ndaj zotëri Gucatit dhe Haradinajt dhe kjo është praktika e vazhdueshme nga gjykatësit”, tha Trendafilova.


Trendafilova flet për ndërprerjen e vizitave për Thaçin, Veselin e Selimin

Kryetarja e Dhomave të Specializuara në “Interaktiv” të KTV-së ka folur për pezullimin e vizitave për Hashim Thaçin, Rexhep Selimin e Kadri Veselin.

Ajo ka thënë se Prokuroria Speciale ka ardhur në dijeni se informacione konfidenciale u janë komunikuar personave që nuk kanë të drejtë të kenë njohuri për informacione. Tha se  ndërlidhen me dëshmitarët.

“Në fakt, gjykatësit është dashur të merrnin vendimin dhe këtë vendim nuk e kanë marrë si zakonisht, është dashur ta pranonin dhe studionin rastin e prokurorëve, sepse trupi gjykues ka ofruar kohë të kufizuar për prokurorin special, gjithashtu ftoi regjistruesen për të ofruar komentet e saj dhe pasi kemi shqyrtuar tërësisht arsyetimin e ofruar nga prokurori special dhe regjistruesja do të përcjellë masat e përkohshme të marra me këtë vendim të shkurtër por të qartë, do të marrin vendimin përfundimtar, pra këtu nuk ka asgjë që shkon në të kundërtën me kornizën ligjore të punës të çfarëdo institucioni dhe do t’u referohem të gjitha masave mbrojtëse që është dashur të merreshin. Ishte shumë e qartë dhe në një vendim shumë të përmbledhur, me kusht që, para së gjithash, këto masa të marra nga trupi gjykues të mos jenë në kundërshtim. Dhe ka pasur një kërkim që është bërë, sepse mund të ketë pasur disa zhvillime të reja në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në lidhje me të drejtën e jetës private, neni 8 i Konventës Evropiane. Më pas arsyetimi i këtij gjykimi, arsyetimi është se me këtë njoftim urgjent të kolegjit nga Prokuroria e Specializuar ka ardhur në dijeni se informacione konfidenciale u janë komunikuar personave që nuk kanë të drejtë të kenë njohuri për këtë informacion. Dhe, sigurisht ishte e lidhur me dëshmitarët. Dhe, siç kam thënë që prej vitit 2017 në vizitën time të parë, edhe gjykimet më brilante në lidhje me vendimet nuk do të kishin asnjë vlerë, nëse jeta dhe qenia e çdonjërit do të ishte komprometuar”, ka thënë Trendafilova.

Trendafilova ka thënë se në kohët e fundit janë paraqitur dy dëshmitarë në Speciale që nuk kanë dashur të dëshmojnë. Por, ajo thotë se deri më tash janë mbi 99 dëshmitarë që janë shfaqur shumë të përkushtuar për të dëshmuar.

“Më duhet të them se kohët e fundit dhe sigurisht ju si gazetarë jeni shumë të informuar, kështu do ta bënte punën e tij një profesionist, profesionist i shkëlqyer. Kohët e fundit mendoj se kanë qenë dy dëshmitarë që kanë dalë para gjykatës, të cilët nuk kanë dashur të dëshmonin, qoftë edhe njëri prej tyre. Unë e di këtë, sepse kur kam mundësi më bie t’i ndjek në ekran, në zyrën time, seancat që janë publike, dhe ai thoshte që më mirë të shkoj në burg, por nuk do të dëshmoj. Pra, kjo është një mundësi, megjithatë këto janë raste të izoluara dhe më duhet të them se ajo që është mjaft mbresëlënëse që deri më tani kemi mbi 99 dëshmitarë që janë shfaqur shumë të përkushtuar vetëm për të treguar historitë e tyre, se si do t'i vlerësojnë gjyqtarët”, tha Trendafilova.


Trendafilova nuk e di se sa do të zgjasë gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, ka thënë se nuk e di se sa do të zgjasë gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.

Të katër gjenden në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.

“Epo, nuk mund t'ju them se kur do të jetë fundi, sepse e di se si funksionon sistemi. Megjithatë, më lejoni ta bëj shumë të qartë: Ky është rast jashtëzakonisht voluminoz. Sepse secili nga katër të akuzuarit akuzohet për dhjetë akuza për krime lufte dhe gjashtë për krime kundër njerëzimit. Më besoni, gjyqtarëve nuk u intereson aspak se ky është rast që do të marrë vite e vite. Dhe gjyqtarët janë shumë kërkues në të dyja dhomat, në të dyja trupat, trupi gjykues një në rastin e z. Schauer dhe trupi gjykues dy. Pra, sa kohë do të marrë nuk e di. Në fakt, numri të cilit i referoheni duhet të përditësohet. Në rastin e madh deri më tani janë personalisht 39 dëshmitarë. Dëshmitarëve në rastin e z. Schaller pothuajse po u vjen fundi”, ka thënë Trendafilova në “Interaktiv” të KTV-së.

23:08

Trendafilova: Kemi pranuar 347 aplikime për viktima, vetëm 141 janë pranuar

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Katerina Trendafilova e pyetur se pse po gjykohen vetëm shqiptarët, ka shtuar se rastet i marrin nga Prokuroria Speciale.

Ajo ka thënë se për këto çështje unë nuk mund t’i bisedojë me askënd nga Zyrat e Prokurorit Special.

“A mund ta imagjinoni... sepse më lejoni të jem e qartë, në çështje institucionale, më duhet një regjistër dhe po ashtu Prokurori Special. Dhe, duhet t’ju jap një shembull. Çështje institucionale është një çështje që të na ofrohet rasti dhe unë tashmë kam bërë aranzhime se kush janë gjyqtarët që do të jenë në dispozicion, sepse gjyqtarët tanë janë në listë. Ata punojnë gjetkë. Prandaj më duhet të sigurohem që në mënyrë që mos t’i vonoj seancat që të shoh se cili nga gjyqtarët do të jetë në dispozicion, kush nuk do të jetë i kontaminuar p.sh. duke marrë pjesë në një rast, që në njëfarë mënyre ka lidhje me rastin që unë kam dashur ta caktoj”, ka thënë ajo.

Sipas saj, në raste të tilla Prokuroria duhet ta informojë atë në mënyrë që mos t’i vonojë seancat dhe që rasti të mbetet duke pritur pa ndonjë veprim gjyqësor.

Ka shtuar se kurrë nuk do ta pyeste prokurorin pse nuk vjen me një rast kundër një serbi, amerikani, bullgari apo tjetër.

Sipas saj, kjo është tërësisht e papërshtatshme dhe nuk mund ta bëj një gjë të tillë.

Ajo ka thënë se pozita e saj si presidente e Gjykatës Speciale është e përkohshme.

“Çfarë ka rëndësi për mua është që rastet që sillen para nesh do të trajtohen me absolutisht me pavarësi, paanshëm dhe drejtësia do të shërbehet për këto raste. Kjo është një përgjigje nga një gjyqtare. Më vjen keq nëse prisni tjetër. Unë nuk mund të përgjigjem si gjyqtare duke konsideruar aktivitetet e një institucioni tërësisht tjetër, që është Zyra e Prokurorit Special, që është madje edhe i ndarë në ndërtesa, sepse ne nuk jemi në të njëjtën çati.

Kështu që mbase edhe dikush si ju, bazuar në disa rrethana mund të bëjë këso analizash, por si gjyqtare unë nuk mund të kem tjetër përgjigje”, ka thënë ajo.

Ka shtuar se për të, gjithçka ka rëndësi është që gjithçka që është vendosur nga kolegët e saj, nga gjyqtarët, është udhëhequr nga praktikat më të mira profesionale dhe me një vërtetësi absolute me atë çfarë u është prezantuar atyre.

Ajo ka thënë se kanë pranuar 347 aplikime për viktima dhe vetëm 141 janë pranuar.

“Sepse ne folëm për viktimat dhe kjo gjë është shumë e lehtë, sepse dua ta bëj të qartë se ne kemi pranuar 347 aplikime dhe vetëm 141 aplikime janë pranuar”, ka thënë ajo.

Sipas saj nuk është çështja që secili nga një etni mund të bëhet dëshmitar dhe ata ia ofrojmë statusin e dëshmitarit pjesëmarrës.

“Ju kujtohet se kur kemi miratuar rregullat e procedurës, Gjykata Kushtetuese e Gjykatës Speciale, që është tërësisht e pavarur nga ne, duhej ta rishikonte... Dhe më duhet të them se rishikimi ka qenë vendimtar sidomos sa u përket masave hetuese të veçanta dhe pastaj ne është dashur të bënim punën tonë më pas. Ata na thanë se këto dispozita nuk i plotësojnë standardet më të larta dhe ne ia dolëm. Kështu që askush nuk po na shtyn që ta kënaqim dikë, që të bëjmë diçka që nuk shkon me profesionin e gjyqësorit”, ka thënë ajo.

23:01

Trendafilova: Në rastin Mustafa e Shala, të gjitha viktimat janë shqiptarë

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Katerina Trendafilova ka përsëritur se vizita e saj në Kosovë nuk ka për qëllim që ta përmirësojë imazhin e keq të Gjykatës Speciale.

Ajo ka thënë se nuk ka fakte që flasin kundër vërtetësisë së këtij institucioni, vërtetësisë së gjithë asaj që bëjnë, pavarësinë totale, paanshmërinë totale të të gjithë kolegëve dhe stafit që punojnë atje.

“Dhe, është detyra ime që të vija dhe të flisja edhe në emër të tyre, por më e rëndësishmja, të flisja edhe me njerëzit dhe të zvogëlonim çdo tension apo brengë që mund të kenë rreth natyrës së Dhomave të Specializuara dhe proceseve gjyqësore që i kemi para vetës”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se sipas Ligjit që është miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, janë dy institucione krejt të ndryshme, pra Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe Dhomat e Specializuara.

Sipas saj, në asnjë sistem juridik, qoftë i brendshëm apo i nivelit ndërkombëtar, gjykatësit nuk sjellin raste para tyre.

“Kjo nuk është çështja. Kush i beson gjyqtarit që ka iniciuar rastet para tij. Kjo është...”, ka thënë ajo.

Ka shtuar se ky nuk merren me rastet që ju dërgohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Derisa ka folur për akuzat se kjo gjykatë është monoetnike ajo ka thënë se “Po iu referohesha nenit nëntë të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit Special, sepse është një nen shumë i rëndësishëm. Si nen adreson që kushdo që ka kryer krime, qoftë qytetar i Republikës së Kosovës apo qytetar i cilido shtet tjetër, nëse ai person ka kryer krime lufte, siç parashihet në juridiksionin tonë, ai person do të mbahet përgjegjës. Prandaj, po ju tregoj se kur po lexoja Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit Special, para se të merrja vendimin nëse do të doja të aplikoja që të bëhesha gjyqtare në këtë institucion, për mua ishte shumë e rëndësishme të sigurohesha që themelet në të cilat ne do të funksionojmë janë objektive dhe neni nëntë ka qenë shumë i rëndësishëm për mua. Prandaj neni nëntë ka qenë për mua si referencë dhe këtë koment ia bëra zotëri Kelmendit, që kushdo që ka kryer krime kundër njerëzimit apo krime lufte do të mbahet përgjegjës”.

Ka shtuar se është çështje e Prokurorisë se çfarë rastesh sjell dhe kjo varet nga kualiteti i dëshmive.

Trendafilova ka deklaruar se në rastin kundër Sali Mustafës të gjitha viktimat janë shqiptarë.

“E njëjta gjë është në rastin Shala. Dhe prapë nuk e di nëse kjo është një koincidencë, apo në rastin e ashtuquajtur të madh kundër zotëri Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, atyre që u është dhënë statusi pjesëmarrës janë 141 dhe janë nga etni të ndryshme: shqiptarë, serbë, romë dhe mendoj se edhe disa egjiptianë kanë aplikuar të jenë dëshmitarë”, ka thënë ajo.

22:57

Trendafilova: E pikëlluar që Gjykata Speciale etiketohet si institucion i padrejtë

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ka thënë se është e pikëlluar që Specialja etiketohet si institucion i padrejtë.

Ajo në Interaktiv të KTV-së ka thënë se njerëzit kanë të drejtë t’i kenë opinionet e tyre, porse sipas saj nuk ka ardhur në Kosovë për ta përmirësuar imazhin e Gjykatës.

Derisa është pyetur se pse kishte anuluar vizitën vitin e kaluar, Trendafilova e ka mohuar këtë.

Ka thënë se personat të cilët do të vinin në ngjarje bashkë me shoqërinë civile, kishin vendosur të mos vinin, duke pretenduar se ishin frikësuar.

“Në fakt, unë nuk e anulova vizitën vitin e kaluar. Erdha këtu dhe takova ministren e Drejtësisë. U takova me audiencën në Universitetin e Prishtinës, me studentë, që ishte një gjë e shkëlqyer dhe u kënaqa shumë duke folur me të rinjtë. Por, në fakt, ngjarja me shoqërinë civile ishte anuluar, një vendim ky që e pata vështirë ta kuptoja... Kjo ishte këshilla e Policisë së Kosovës dhe sigurimit tonë. Por, duhet t’ju them se pse u pajtova me vendimin e anulimit të ngjarjes është sepse unë njihem si një grua shumë kokëfortë, që do të thotë se nëse besoj në diçka se është e drejtë kurrë nuk dorëzohem. Por, mua më thanë se ata që kishin konfirmuar që do të vinin në atë ngjarje vendosën të mos vinin, të frikësuar për veten e tyre”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se nuk e di se kush janë ata persona.

“ Ndoshta janë frikësuar. Nuk e di. Nuk e di, por pse duhet unë në ndonjë mënyrë ta bëj çështje ndjenjën e sigurisë dhe mbrojtjes së atyre që donin të vinin e të përballeshin me mua. Mbase këta anëtarë të shoqërisë civile do të adresonin disa pyetje të vështira. Prandaj kështu e pranova që nuk do të takoheshim”, ka thënë ajo.