Arbëri

Nga prilli i vitit të ardhshëm, në pako të duhanit do të ketë foto dekurajuese

Nga viti i ardhshëm imazhe të pakëndshme do të jenë të stampuara në pakot e duhanit. Nga muaji prill do të ndalohet importi apo prodhimi i pakove pa këto foto dekurajuese, e nga tetori të gjitha paketimet e duhanit edhe ato të mbetura në stoqe do t’i përfshijnë këto vërejtje. Duhanpirësit e mirëpresin këtë nismë dhe thonë se ekspozimi ndaj fotografive dekurajuese do të ketë ndikim te ta.

Kushdo që blen një pako të duhanit nga muaj prilli vitit të ardhshëm, do t’i shohë disa fotografi dekurajuese që kanë për qëllim vetëdijesimin e qytetarëve për pasojat e duhanit.

Kjo është vendosur me miratimin e Udhëzimit Administrativ për Vërejtjet e Kombinuara, që është paraparë se nga mesi i vitit që po vjen të mos importohen dhe të prodhohen cigare me paketimet e vjetra të mbetura në stok, e nga tetorit të gjitha llojet e duhanit do t’i kenë ato fotografi në paketime.

Në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë që kjo bëhet për t’i dekurajuar të rinjtë që të mos nisin konsumin e duhanit.

“Është miratuar Udhëzimi Administrativ për Vërejtjet e kombinuara (shëndetësore) në pakot e duhanit dhe nga pjesa e dytë e vitit tjetër, të gjitha pakot dhe njësitë e duhanit që importohen në Kosovë do ti kenë të vendosura fotografitë dekurajuese si mënyrë për të dekurajuar të rinjtë të nisin duhanin dhe ata që e pinë të nxiten për ta lënë”, ka deklaruar Ministria e Shëndetësisë.

Qytetarë duhanpirës kanë thënë se veç janë të vetëdijshëm për pasojat nga duhani.

Megjithatë ata presin që fotografitë dekurajuese të kenë ndikim edhe te ta.

“Po, me gjasë po sepse kur të shohim një pamje të vazhdueshme, dikur bëhet irrituese. Por, megjithatë, mund të ndodhë që edhe unë të ambientohem dhe të përshtatem me këtë logjikën e njerëzve, nuk po bëjnë keq që po e vendosin”, ka thënë Sadri Dezdari, qytetar.

“Nuk është mirë ta pimë duhanin sidomos, fëmijët dhe pleqtë, sikur unë. Por më është bërë shpreh”, ka thënë Fetah Fetahaj.

Shkumbin Spahiu, nga Qendra për Avokim dhe Zhvillim, që merret me shëndetin publik, thotë se vërejtje të ngjashme me fotografi aplikohen në 126 vende të botës.

“Duhet të presim vendosjen e fotografive dhe teksti dekurajues në paketimet e produkteve të duhanit, të cilat e kanë qëllim informimin e drejtë të atyre që e konsumojnë duhanin, por edhe të popullatës së gjerë, mbi efektet dhe rrezikun që shkakton konsumimi i duhanit apo ekspozimi ndaj tymit të duhanit. Këtu duhet të thënë që paketimet të përdoren si një mjet komunikimi që të përçojmë mesazhin, për efektin e vërtetë të konsumimit të duhanit”, ka deklaruar Spahiu.

Spahiu theksoi se ekzistojnë indikacione se afro 25% e popullatës së përgjithshme e konsumojnë duhanin.

Sipas të dhënave nga Dogana, kosovarët konsumojnë rreth 3 mijë tonë duhan në vit në vlerë rreth 400 milionë euro.