Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Serbia liron Radoiçiqin, ia ndalon ardhjen në Kosovë

Gjykata e Lartë e Serbisë të mërkurën ka liruar Milan Radoiçiqin një ditë pasi e arrestoi. Atij i është konfiskuar pasaporta dhe i është ndaluar ardhja në Kosovë.

Gjykata e Lartë e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë që Radoiçiqit t’i caktohej masa e paraburgimit.

Për shkak të rrezikut të arratisjes, Prokuroria kishte kërkuar një muaj paraburgim për ish-nënkryetarin e Listës Serbe.

Por Gjykata në vendimin e saj ka thënë se pasi ka dëgjuar të pandehurin ka vendosur për lirimin e tij.

Përveç ndalimit të shkuarjes në Kosovë dhe konfiskimit të pasaportës, e cila ia pamundëson largimin nga Serbia, Radoiçiqi është i detyruar që me data 1 dhe 15 të çdo muaji të paraqitet para një stacioni policor në Beograd.

“I pandehuri është paralajmëruar se ndaj tij mund të caktohet paraburgimi nëse i shkel të drejtat dhe detyrimet”, thuhet në njoftim.

Radoiçiqi u arrestua dje. Atij iu caktua masa e ndalimit prej 48-orësh, por u lirua ende pa i mbushur 24 orë të plota në qeli.

Edhe Nisin hetimet, si vepruan institucionet në Serbi për ta lënë të lirë Radoiçiqin Arbëri Nisin hetimet, si vepruan institucionet në Serbi për ta lënë të lirë Radoiçiqin

Ai u akuzua për veprat penale "prodhim, mbajtje dhe trafikim pa leje të armëve të zjarrit dhe lëndëve plasëse" si dhe me "vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme". Radoiçiqi e ka pranuar se ka qenë organizatori kryesor i sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku vdiq rreshteri Afrim Bunjaku.

Radoiçiqi është në “listën e zezë” të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe. I ndalohet hyrja dhe të bëjë biznes në SHBA. Ai u vendos në listë për shkak të lidhjeve të dyshuara me krimin e organizuar transnacional.

Institucionet në Kosovë kanë kërkuar ekstradimin e tij në mënyrë që ai të gjykohet nga drejtësia kosovare.