Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të tregohet më i qartë dhe më i sinqertë ndaj Kosovës dhe Serbisë dhe të ketë trysni ndaj të dyja palëve për ta zbatuar marrëveshjen pa kushte.
Në një linjë direkte për emisionin “60 Minuta” në KTV, Palokaj ka thënë se ka pasur kërkesa brenda BE-së që masat të shqyrtohen edhe ndaj Serbisë.
“Sipas burimeve tona, ka pasur kërkesa që masat të shqyrtohen edhe ndaj Serbisë sepse nuk mund të jetë vetëm Kosova fajtore për situatën në veri. Rrugëdalja është që BE-ja të bëhet pak më i sinqertë, edhe SHBA-ja sepse sanksionet e BE-së janë inkurajuar nga BE-ja dhe vendet që e kanë njohur Kosovën dhe të mos lejojnë që vetëm Kosova të ketë obligime, ndërsa obligimet e Serbisë të shtyhen për më vonë. BE-ja duhet të jetë më e qartë dhe më e sinqertë dhe duhet të ketë trysni ndaj të dyja palëve për të zbatuar pa kushte”, ka thënë ai.
Palokaj ka shtuar se ekziston mundësia që Kosovës t’i ofrohet heqja e masave nëse dëshmon që është e gatshme të ecë përpara në përfilljen e kërkesave të BE-së.
“Ka mundësi edhe të shtohen sanksionet, ka mundësi që ato të vendosen edhe për Serbinë, krejt këto do të varen nga rrjedha e situatës në ditët në vijim. Për momentin atmosfera në BE është se masat duhet të jenë të balancuara”, është shprehur Palokaj.
Sipas tij, Bashkimi Evropian nuk pret që të ketë takime në të ardhmen e afërt, por nga Kosova pritet që të nisë procedurat për themelimin e Asociacionit.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.