Arbëri

Njohësit nuk i përjashtojnë masat shtesë ndaj Kosovës

 

Dështimi i takimit të 14 shtatorit mund të prodhojë pasoja për Kosovës, sipas njohësve ndërkombëtarë e vendorë të çështjeve politike. Ata i kualifikuan si të larta gjasat për zbatimin e masave ndëshkuese shtesë, shkaku që nga ndërmjetësi i dialogut pala kosovare është mbajtur përgjegjëse për mosarritjen e një ujdie. E kjo, sipas tyre, rrezikon ta dëmtojë pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare

Njohës politikë vendorë e ndërkombëtarë e shohin të lartë mundësinë e përballjes së Kosovës me pasojat e masave shtesë për shkak të dështimit të rundit të fundit të dialogut në Bruksel.

Takimi i 14 shtatorit, midis kryeministrit Albin Kurti e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, u përmbyll pa një rezultat, e në Bashkimin Evropian përgjegjëse për dështim e mbajtën Kosovën. E çështja e heqjes apo e zbatimit të masave shtesë, sipas burimeve në BE të Radios Evropa e Lirë, është ndërlidhur me rrjedhën në dialog.