Arbëri

ORCA: Këshilli Drejtues i UP-së ka pesë anëtarë ilegalë, të përsëritet zgjedhja e tyre

Descriptive Text

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin u shpall i kundërligjshëm procesi i votimit të anëtarëve të rinj të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, që u bë në qershor të vitit të kaluar.

“ORCA është e tronditur me vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, i cili shpalli të paligjshme pjesëmarrjen e senatorëve të rinj studentë para se t’ju fillojë mandati në seancën për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues nga radhët e UP-së në qershor të vitit 2022”, thuhet në reagimin e ORCA-s.

Kjo Organizatë është shprehur e brengosur për legjitimitetin dhe ligjshmërinë e të gjitha proceseve të rrjedhura nga ai “vendim i paligjshëm për formimin e Këshillit Drejtues, shumica e anëtarëve të të cilit tashmë me vendim gjykate janë ilegalë”.

“Proceset si zgjedhja e Sekretarit të Përgjithshëm në Universitetin e Prishtinës, zgjedhja e Rektorit të Universitetit të Prishtinës, aprovimi i rregulloreve dhe vendimeve të tjera që kanë dalë nga organi ilegal, mund të kontestohen nga secila palë në çfarëdo procedure tjetër administrative-juridike. ORCA fton Universitetin që të shmangë situata të tilla duke adresuar vendimin e gjykatës”, thuhet në reagim.

ORCA ka dënuar, siç thuhet, me termat më të ashpër ata që interpretuan gabimisht një dispozitë aq të qartë dhe ka kërkuar shkarkimin e përjashtimin e të gjithë zyrtarëve në të gjitha institucionet publike të cilët kanë dhënë interpretime të gabuara.

“Po ashtu dënon mungesën e përfaqësuesve të Universitetit të Prishtinës në Gjykatë në seancën për shqyrtimin kryesor të rastit, çka tregon sjellje të papranueshme shpërfillëse të zyrtarëve të Universitetit kur është fjala për mbrojtjen e interesit të tij”, thuhet në reagim.

Në reagim thuhet se ORCA pas këtij vendimi e konsideron ilegale përbërjen aktuale të Këshillit Drejtues nga radhët e UP-së dhe kërkon përsëritje të procesit të zgjedhjes së atyre 5 anëtarëve.