Arbëri

MAPL: Në veri s’ka shumë gatishmëri për pjesëmarrje në iniciativa për shkarkim të kryetarëve

Veriu

Foto: Arkiv

Zëvendësministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, ka deklaruar se nuk ka shumë gatishmëri nga votuesit në komunat veriore për të marrë pjesë në iniciativa për shkarkimin e kryetarëve të komunave veriore të Kosovës.

Të hënën në “60 Minuta” të KTV-së, Vokrri ka thënë se nuk pret që qytetarët t’i përgjigjen thirrjes për ta mbushur 20 përqindëshin e nënshkrimeve që kërkohet për të filluar procedura për shkarkimin e kryetarëve.

“Për aq sa kam parë nga terreni, nuk ka shumë gatishmëri. Atyre iu intereson që ta kenë një garanci që situata nuk do të kthehet prapa ashtu siç ka qenë para zgjedhjeve. Unë nuk pres që qytetarët t’i përgjigjen thirrjes për ta mbushur atë 20 përqindëshin e nënshkrimeve për të filluar procedura e shkarkimin e kryetarit”, ka thënë ai.

Vokrri ka njoftuar se është përpiluar drafti për udhëzimin administrativ që saktëson hapat që duhet ndjekur kur një grup qytetarësh organizohen për ta shkarkuar një kryetar komune. Sipas tij, ky draft do të përfundojë brenda javës.

“Deri më tani nuk ka pasur praktikë në Republikën e Kosovës që me një iniciativë qytetare të shkarkohet ndonjë kryetar komune dhe me këtë udhëzim administrativ saktësohet se cilët janë hapat që duhet ndjekur kur një grup qytetarësh organizohen dhe marrin iniciativë për ta shkarkuar një kryetar komune. Në dokument ku themelohet Grupi Punues për përpilimin e këtij udhëzimi administrativ përmendet që drafti duhet të dorëzohet më 1 shtator, brenda këtij muaji, do të thosha brenda kësaj jave do të përfundojë. Me aq sa di nuk është caktuar koha se sa mund të pritet derisa të grumbullohen të gjitha nënshkrimet e nevojshme për ta arritur 20 përqindëshin, por precizohet se kur të dorëzohen nënshkrimet dhe konstatohet që nuk qenkan mbledhur 20 për qind, jepen edhe 10 ditë shtesë kohë që të plotësohet ky numër”, ka shtuar ai.

Image