Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Qeveria e konsideron të vështirë përmbushjen e kritereve për largimin e kryetarëve në veri

Mbështetur në një raport të miratuar në mbledhjen e fundit, Qeveria e konsideron vështirë të arritshëm përmbushjen e kritereve për largimin e kryetarëve të komunave përmes peticionit. Kuotën prej 20% e cila kërkohet për t’i dhënë shtytje nismës dhe procedurën e votimit për largim të kryetarëve, që kërkon aprovimin e shumicës së votuesve të regjistruar, qeveria i konsideron si kritereve të vështira

Qeveria e Kosovës e ka parashikuar epilogun që mund ta kenë nismat për largimin e kryetarëve të komunave, sipas një raporti të miratuar në mbledhjen e së mërkurës. Ekzekutivi e sheh vështirë të arritshëm përmbushjen e kritereve që janë vënë për jetësimin e nismave të tilla, që pritet të provohen në komunat e populluara me shumicë serbe.

Në raportin e analizës për mekanizmat e demokracisë lokale trajtohet edhe udhëzimi që i hap rrugë largimit të kryetarëve përmes peticionit, miratimi i të cilit është arsyetuar me situatën e krijuar në veri.

Sipas dokumentit, praktikisht zbatimi dispozitës që derivon nga Ligji për Vetëqeverisje Lokale është shumë i vështirë i arritshëm për dy arsye kryesore.

“E para, nisma për largim kërkon një kuotë prej 20% të votuesve të regjistruar, e që është mjaft sfiduese për tu arritur. Ndërsa e dyta, procedura e votimit për largim kërkon aprovimin e shumicës së votuesve të regjistruar e cila është e paarritshme, dhe mund të bazohet referuar numrit të votuesve që kanë votuar në zgjedhjet lokale. Si rrjedhojë, kriteri rigoroz për ndërmarrjen e nismave për shkarkim, e bënë pozitën e fortë të kryetarit të komunës, gjë që kjo ka mundur të jetë një nga faktorët për mosndërmarrjen e një iniciative për largim”, shkruan në analizë.

Udhëzimi arsyetohet me situatën e krijuar në veri

Edhe Fuqizimi i vendimmarrjes së qytetarit Arbëri Fuqizimi i vendimmarrjes së qytetarit

Dokumenti i bën edhe një përshkrim situatës së krijuar në veri si rezultat i bojkotimit të zgjedhjeve nga serbët dhe domosdoshmërisë për krijimin e bazës ligjore që u hap rrugë largimit të kryetarëve.

“Prej hyrjes në fuqi të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale (LVL), mekanizmi i iniciativës për largim të kryetarit nuk ka qenë i rregulluar më tej me legjislacion sekondar. Pas zgjedhjeve të organizuara në prill të vitit 2023 në katër komunat në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, dhe refuzimi të komunitetit serb për pjesëmarrje në ato zgjedhje u krijua nevoja për identifikimin e mundësive për shfrytëzimit të mekanizmit të iniciativës për largimin e kryetarit të komunës. Si pasojë e diskutimeve publike në lidhje me ngjarjet që pasuan zgjedhjet në veri të Kosovës, u intensifikuan veprimet për përcaktimin e një kornize ligjore përmes nxjerrjes së Udhëzimit Administrativ Nr. 02/2023 për Iniciativën e Qytetarëve për Largimin e kryetarit të Komunës nga Funksioni”, shkruan në dokument.

Megjithatë, evidentohet se deri në hartimin e këtij raporti, nuk ka pas të dhëna në lidhje me fillimin e ndonjë iniciative për largimin e kryetarëve duke u mbështetur në Udhëzimin Administrativ.

Por tashmë ekzistojnë nisma për shkarkimin e kryetarëve në Leposaviq, Mitrovicë të Veriut e Zubin Potok, mbështetur në udhëzimin e administrativ.

Cakolli: Qasje hezituese për ushtrimin e të drejtës së peticionit

Njohës të proceseve zgjedhore thonë se me gjithë miratimin e kuadrit ligjor, ka pasur qasje hezituese për inicimin e peticionit për shkarkimin e kryetarëve, për shkak të kritereve të vëna.

“Ndonëse ekzekutivi ka miratuar kuadrin ligjor për mundësimin e largimit të kryetarëve sipas nenit 72 të LVL – përkundër mangësive të udhëzimit – ka ekzistuar një qasje hezituese e qytetarëve të komunave veriore për ushtrimin e kësaj të drejte. Kjo, jo për shkak të vështirësisë, aq më pak pamundësisë, për mbledhjen e 20% të nënshkrimeve apo edhe arritjes së kuotës prej 50% +1 votë — meqenëse nga përvoja e secilave zgjedhje në veri (përtej të metave dhe manipulimeve, dalja ka shkuar në rreth 80%”, ka thënë Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI).

Ai konsideron se ky hezitim vjen si rezultat i paqartësive politike dhe mungesës së një dakordimi më të madh politik mbi këtë çështje.

“Prandaj, me normalizimin e diskursit mes Kosovës dhe Serbisë, besoj që do të shkojmë drejt shfrytëzimit të kësaj të drejte ligjore nga qytetarët. Sidoqoftë, opsioni i dorëheqjeve vazhdon të mbetet për t'u ndjekur, për shkak të moskomplikimeve procedurale, si dhe evitimit të kostos dhe kohëzgjatjes së dyfishtë - që sjell largimi i kryetarëve përmes peticionit, respektivisht mini-referendumit”, ka theksuar Cakolli.

Edhe Qeveria: Kosova përmbushi obligimin e saj, BE-ja t’i heqë masat e padrejta Arbëri Qeveria: Kosova përmbushi obligimin e saj, BE-ja t’i heqë masat e padrejta

Kriteret që duhet plotësuar

Në Mitrovicën e Veriut ka avancuar iniciativa për shkarkimin e kryetarit ku një grup qytetarësh e kanë deponuar në Kuvend Komunal formatin e nismës për peticion.

Sipas udhëzimit, duhet që 20 për qind e votuesve të regjistruar të nënshkruajnë peticionin, për të çuar në votim procesin për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Sipas të dhënave nga KQZ-ja, për të qenë i suksesshëm procesi, në Leposaviq duhet të mblidhen 2 mijë e 689 nënshkrime, në Mitrovicë të Veriut 3 mijë e 640 derisa në Zubin-Potok 1 mijë e 347 sosh.

Pas pranimit të nënshkrimeve, kryesuesit e kuvendeve komunale duhet që brenda tri ditë ato t`i dërgojnë në KQZ për verifikim.

Nga konstatimi që është arritur numri i nevojshëm i nënshkrimeve, KQZ-ja brenda 45 ditëve duhet të organizojë procesin zgjedhor ku qytetarët mund të votojnë nëse duan të shkarkojnë kryetarin e komunës përkatëse apo jo.

“Koha” ka raportuar se e diela e tretë e muajit prill është koha më e largët kur në komunat me shumicë serbe do të mbahet procesi për largimin e kryetarëve. 108 ditë është afati më i largët sa mund të zgjasë i gjithë procesi deri në ditën kur qytetarët të votojnë nëse duan të shkarkojnë kryetarët apo jo.

Për më tepër, me gjithë udhëzimin e miratuar, për qeverinë mbetet e paqartë nëse edhe baza aktuale ligjore është e mjaftueshme për të vënë në funksion këtë mekanizëm ligjor.

"Ligji për Vetëqeverisje Lokale (LVL) përkatësisht neni 72 nuk thirret në krijimin e një baze nënligjore për të rregulluar tutje këtë mekanizëm. I vetmi rregullim për këtë mekanizëm përcaktohet në vetë LVL. Mbetet për t’u shqyrtuar nëse një iniciativë e tillë për largimin e kryetarit, një funksion që zgjidhet me votim të drejtpërdrejtë, të mund të rregullohet tutje me një akt nënligjor, apo përmes një ligji të veçantë”, shkruan në dokument.

Edhe Përfundon mbledhja e nënshkrimeve për largimin e kryetarëve në veri Arbëri Përfundon mbledhja e nënshkrimeve për largimin e kryetarëve në veri

Asnjë nga katër komunat veriore nuk ka marrë pjesë në pyetësorin e këtij raporti, që është përpiluar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Këto komuna për herë të parë janë duke u qeverisur nga kryetarë joserbë, pasi zgjedhjet e 23 prillit u bojkotuan nga subjektet serbe që përfaqësojnë komunitetin shumicë në atë pjesë. Vendosja e kryetarëve në objektet komunale ishte shoqëruar me protesta të dhunshme, nga të cilat e pësuan pjesëtarë të Policisë së Kosovës, ata të KFOR-it dhe gazetarët. Mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri ishte pjesë e dakordimit mes qeverisë së Kosovës dhe Brukselit zyrtar, të arritur në Bratislavë në korrik të këtij viti.