Arbëri

Konjufca: Kosova s’do të pranojë modele që kanë për qëllim zhbërjen e shtetit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në një takim me Këshillin e Ambasadorëve Amerikanë, të kryesuar nga Timothy Chorba, kryetar i Këshillit, ka thënë se Kosova nuk do të pranojë modele që kanë për qëllim zhbërjen e shtetit dhe zbehjen e kompetencave ekzekutive brenda territorit të Kosovës.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët në dialogun Kosovë-Serbi.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është jashtëzakonisht e përkushtuar ndaj dialogut dhe gjetjes së zgjidhjes më të mirë për qytetarët e të dyja shteteve, por assesi, në asnjë rrethanë nuk do të pranohen modele që rrezikojnë shtetin dhe lirinë e qytetarëve të Kosovës”, tha ndër të tjera Konjufca, bëhet e ditur në një komunikatë për media.

Duke falënderuar diplomatët për kontributin e vazhdueshëm të tyre dhe të shtetit amerikan në zhvillimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, me theks të veçantë Kosovës, Konjufca theksoi se takime të kësaj natyre janë mundësi e mirë për të qëndruar më afër njëri-tjetrit dhe për të trajtuar tema që janë me interes vital për rajonin.

Referuar ndihmës që Kosova ka përfituar ndër vite nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet demokratike evropiane, Konjufca u shpreh se Kosova është projekti më i rëndësishëm i faktorit ndërkombëtar i fundshekullit 20-të, i cili rezultoi me ndaljen e gjenocidit dhe trasoi rrugën drejt pavarësisë së Kosovës.

Intervenimi ndërkombëtar dhe pavarësia e Kosovës, shtoi Konjufca, nuk ishin vetëm domosdoshmëri e nivelit nacional, por kusht esencial për paqe dhe siguri në rajon dhe Evropë.


Kurti priti një delegacion të Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë: ShBA, aleat i yni kyç

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti sot një delegacion të gjerë të Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë. Marrëdhëniet Kosovë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës shtrihen në sferën historike, ekonomike, të sigurisë dhe të mbrojtjes.

Para ambasadorëve dhe mysafirëve të tyre, siç u bë e ditur nga qeveria, Kurti tha se ShBA-të janë partner, mik dhe aleat kyç i Kosovës.

Ai i njoftoi ata për progresin ekonomik dhe demokratik të vendit si dhe për bashkëpunimin në rritje ndërmjet dy vendeve, duke veçuar këtu marrëveshjen prej 236.7 milionë dollarë me MCC-në të nënshkruar në vitin e kaluar dhe strehimin e refugjatëve afganë në Kosovë.

“Gjatë bashkëbisedimit, kryeministri Kurti po ashtu veçoi katër fushat të cilat janë trajtuar me prioritet në buxhetin e vitit 2023; mbrojta, edukimi, bujqësia dhe shëndetësia, teksa iu përgjigj interesimit të ambasadorëve për to.”, u bë e ditur në komunikatë.

Ambasadorët e përgëzuan kryeministrin dhe Kosovën për arritjet. Në mesin e tyre, ish-ambasadori amerikan, Thomas Riley, i cili tha se i vjen shumë mirë që qeveria jo vetëm që po përpiqet, por edhe po ka sukses.

Gjithashtu, Kurti i informoi anëtarët e delegacionit vizitues me zhvillimet e fundit për sa i përket marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me dakordimin mbi Marrëveshjen bazë dhe planin e zbatimit, sjelljen dhe veprimet e Serbisë karshi tyre dhe me qëndrimet dhe propozimet e Republikës së Kosovës në takimin e javës së kaluar në Bruksel.

Vizita e Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë u organizua nga Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, përfaqësues të së cilit ishin po ashtu prezentë në këtë takim.

Këshilli i Ambasadorëve Amerikanë është shoqatë e ambasadorëve amerikanë me gjithsej 200 anëtarë, të cilët së bashku kanë shërbyer për mbi gjashtë dekada dhe për njëmbëdhjetë presidentë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.