Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në Komisioni për Integrim Evropian, ka thënë se rasti i ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është “konstrukt artificial i ndërtuar nga subjektet politike në Kosovë”.
Bislimi është pyetur nga kryesuesja e Komisionit, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, për çështjen e Martin Berishajt ndër të tjera.
“E dini shumë mirë se rasti i Martin Berishajt është konstrukt artificial i ndërtuar nga subjektet politike në Kosovë. Nuk ka asnjë proces gjyqësor të nisur kundër tij. Është e paturpshme se si zvarritet emri i një intelektuali të shquar si Martin Berishaj me shpresë se mund të nxjerrët ndonjë përfitim politik. Unë kam ardhur këtu të raportojë për integrim evropian, por ju mund të vazhdoni nëse mendoni se kjo ju sjellë përfitime politike”, tha Bislimi.
Bislimi gjatë raportimit ka thënë se “kanë punuar ditë e natë” për liberalizimin e vizave.
“Vitin e kaluar jemi marrë me liberalizimin e vizave, kemi aplikuar në KiE. Sipas planifikimit më 15 tetor 2022 kemi aplikuar për anëtarësim në BE. Kemi përgatitur shume projekte në kuadër të IPA. Kriteret për vizat janë plotësuar që nga vitit 2018, por kishte hezitime nga disa shtetet, hezitimet kishin të bënin me korrupsionin, krimin e organizuar e migrimin, për një vit shënuam progres në këtë drejtim. Filluam bashkëpunim me vendet që shprehën hezitim. Punuam ngushtë me vende përkrahëse. Gjatë dy majave të fundit kemi pasur bashkëpunim me Këshillin dhe Parlamentin për të mos u vonuar procedurat, pas gjithë këtij koordinimi jemi ftuar për të nënshkruar rregullore, e cila është publikuar në Gazetën Zyrtare. Falënderojë të gjithë ata që punua ditë e natë që kjo të arrihet”, tha Bislimi.
Bislimi sulmon Prokurorinë për arrestimin e Nagip Krasniqit
Zëvendëskryeministri i Kosvës, Besnik Bislimi, në Komisionin për Integrime Evropiane është pyetur edhe për arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, që tashmë është pezulluar.
Bislimi është pyetur për rastin nga deputetja e PDK-së, Blerta Deliu.
“Ne mendojmë se ka shumë korrupsion në KEK. Jam i vetëdijshëm se 30 raste të tilla janë deponuar në Prokurori nga menaxhmenti i KEK-ut. S’ka interes që Prokuroria e Kosovës të merret me raste. Por, ka interes të merret me rastin e menaxherit që një kompani që ka punuar me humbje e ka sjellë në profit 107 milionë euro. Ky ka qenë mëkati i Nagip Krasniqit, për të cilën është dashur të arrestohet. Si ka mundësi që një kompani publike të ketë 107 milionë euro profit dhe asnjëra të mos përfundojë në xhepa të politikanëve. Ky është problemi i madh, andaj është dashur të arrestohet”, tha Bislimi, duke e quajtur Prokurorinë “institucion politik”.