Arbëri

I rritet dënimi rezervistit të policisë serbe të dënuar për krime lufte

Gjykata e Apelit

Gjykata e Apelit ka njoftuar se ka aprovuar pjesërisht ankesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, duke ia rritur dënimin nga 10 në 13 vjet, rezervisitit të policisë serbe Z.V., të dënuar për krime lufte kundër popullsisë civile.

Apeli ka njoftuar se aktgjykimi i shkallës së parë është ndryshuar vetëm sa i përket kohëzgjatjes së dënimit.

“Me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Departamentit Special, është aprovuar pjesërisht ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është ndryshuar, vetëm sa i përket vendimit mbi dënimin, ndërsa pjesa tjetër e ankesës së Prokurorisë Speciale si dhe ankesa e të akuzuarit Z.V dhe mbrojtësit të tij avokatit N.V, janë refuzuar si të pabazuara”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

Në arsyetim të aktgjykimit gjykata e shkallës së dytë ka vlerësuar se pretendimet e lartë cekura ankimore nuk qëndrojnë e as që ka shkelje të tjera të dispozitave të procedurës penale, për të cilat, sipas detyrës zyrtare kujdeset kjo gjykatë, të cilat kishin për ta kushtëzuar anulimin e aktgjykimit të ankimuar.

“Në këtë aspekt janë të pabaza pretendimet ankimore se aktgjykimi i ankimuar përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale të parapara nga neni 384 të KPP-së, ngase, dispozitivi i aktgjykimi është i qartë, i kuptueshëm, ndërsa në arsyetimin e aktgjykimit janë dhënë arsyet e duhura mbi faktet vendimtare të kësaj çështje penale-juridike”, thuhet në njoftim.

Më tutje Gjykata e Apelit konstaton se, gjykata e shkallës së parë gjendjen faktike në këtë çështje penale e ka vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë nga provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, përmes se cilave është provuar se i akuzuari Z.V., e ka kryer veprën penale në mënyrën e përshkruar në dispozitivin e aktgjykimit të ankimuar.

Kolegji i Apelit ka vlerësuar se thelbi i çështjes faktike ishte nëse i akuzuari është identifikuar në mënyrë të sigurt nga e dëmtuara D1, dhe a konfirmonin mjaftueshëm dëshmitë e tjera mbështetëse këtë rrethanë, pra duhet të vlerësohet efekti plotësues i këtyre dëshmive.

Në njoftimin e Apelit thuhet se gjatë gjithë dëshmive të bëra dhe gjatë ballafaqimit në shqyrtim gjyqësor, dëshmitarja D1 ka demonsturar se është e sigurt në identifikim dhe nuk ka shfaqur asnjëherë shenja pasigurie.

“Gjithashtu kolegji ka vlerësuar se nën dritën e kësaj, dëshmia e dëshmitares – dëmtuarës D1, karakterizohet nga qartësia, faktet dhe rrethanat tregohen në përputhje me kronologjinë e zhvillimit dhe logjikën jetësore të ngjarjes, prej fillimit e deri tek trajtimi i saj tek mjekët pas këtyre ndodhive. Është e rëndësishme të potencohet, se dëshmitarja D1, ka dhënë fragmente të hollësishme të ngjarjes të cilat mund ti jap vetëm një person që i ka përjetuar dhe parë drejtpërdrejtë, të cilat pastaj i rrëfen në mënyrë të natyrshme”, thuhet në njoftim.

Duke u bazuar në këtë si dhe rrethana e dëshmi të dësmitarëve të tjerë Apeli ka marr vendim që dënimi i Z.V. të rritjet nga 10 në 13 vjet. “Rrjedhimisht, kjo gjykatë ka vlerësuar se këto rrethana në unitetin e tyre japin bazë të mjaftueshme që arsyetojnë shqiptimin e dënimit me burgim në kohëzgjatje prej 13 (trembëdhjetë) vite, me bindjen se dënimi tani i shqiptuar është në proporcion dhe plotësisht i justifikueshëm në raport me peshën konkrete të veprës penale, rrethanave të kryerjes, shkallën e lartë të përgjegjësisë penale të akuzuarit, tek i cili është manifestuar kuantum i avancuar i vullnetit kriminal, tërësisë së sjelljes së tij kriminale dhe se me të njëkohësisht arrihet qëllimi ndëshkimor në kuptim të preventivës speciale dhe asaj gjeneralë”, thuhet në njoftimin e Apelit.

Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të Departamentit Special, të datës 11.11.2022, i akuzuari Z.V, është shpallur fajtor dhe është gjykuar me dënim me burgimi në kohëzgjatje prej 10 vjet.

Njoftimi