
Vasfije Krasniqi-Goodman, e mbijetuar e dhunës seksuale në luftë, ka deklaruar se që nga 2018-a kur kishte folur publikisht për të kaluarën e saj, shqiptarët i dëgjojnë më lehtësisht viktimat e dhunës seksuale.
Ajo ka thënë në “Konfrontin” e KTV-së të enjten se gjërat po përmirësohen në pranimin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, por siç ka deklaruar, të dhunuarit ende kanë sfida.
“Jemi mësuar të presim. 14 prillin e kam përjetuar çdo ditë. Tash është lehtësim që shteti po na njeh si viktima dhe po shkojnë gjërat duke u bërë mirë. Shqiptarët janë më të gatshëm t’i dëgjojnë viktimat e dhunës seksuale. Nga 2018-a ka pasur reagime më ndryshe nga secili shqiptar”, ka thënë ajo.
Sipas Krasniqi-Goodman, ka pasur shumë familje që s’e kanë ditur që kanë familjarë që janë dhunuar gjatë luftës. Ajo ka thënë se me rrëfimet që i dëgjon çdo ditë nga të dhunuarit, herë ndihet më e fortë e herë dërrmohet.
“E kam jetën në Amerikë, e ato që kanë mbetur e s’e kanë guximin vuajnë ende...Koha nuk i shëron plagët e zemrës dhe të shpirtit. Plagët fizike po, ama plagët e shpirtit nuk shërohen derisa s’ka drejtësi”, ka shtuar ajo.
Me propozim të presidentes Vjosa Osmani, 14 prilli është caktuar si Dita e të Mbijetuarve të Dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Osmani ka thënë se ky vendim do t'i kontribuojë memories kolektive.