Kryeministri Albin Kurti të enjten ka thënë se Kosova krahasohet me Zvicrën dhe Luksemburgun sa i përket transformimit digjital. Gjatë prezantimit të “Strategjisë së Kosovës për Qeverisje Elektronike 2023-2027”, Kurti ka thënë se strategjia e e-qeverisjes e vendos vizionin e tyre për një administratë të digjitalizuar dhe transprente.
Shefi i ekzekutivit tutje ka thënë se strategjia e e-qeverisjes ndikon në rritjen e vazhdueshme të ekonomisë së vendit.
Kurti u shpreh se ky është dokument strategjik që fokusohet në fushat kryesore të digjitalizimit të sektorit publik dhe që ndihmojnë në arritjen e vizionit të përcaktuar në “Agjendën Digjitale të Kosovës 2030” për transformimin e Kosovës në një vend të suksesshëm në fushën e digjitalizimit.
“Strategjia e e-qeverisjes e vendos vizionin tonë për një administratë të digjitalizuar dhe me efekt e transparente. Ndikon në rritjen e vazhdueshme të ekonomisë së vendit. Një nga këto parimet janë vendosja e qytetarit në qendër të eliminojnë burokracinë dhe të kursejnë kohën. Një parim tjetër është gjithëpërfshirja. Kosova është në top vendet për digjitalizim dhe krahasohet me Zvicrën dhe Luksemburgun”, u shpreh Kurti.
Ai ka thënë se objektivat e përcaktuar në strategji ndihmojnë në arritjen e vizionit të transformimit digjital në administratën publike të Kosovës.
“Strategjia adreson çështjet aktuale dhe formulon objektiva dhe veprime specifike për tejkalimin e tyre dhe arritjen e qëllimeve strategjike. Kosova ka shënuar progres të mirë në digjitalizimin e administratës publike duke përcaktuar digjitalizimin si një nga prioritetet e saj, por strategjia thekson mundësitë për qasje më koherente dhe sistematike ndaj digjitalizimit në sektorin publik për t’i nxitur më tej përpjekjet për digjitalizim”, shtoi Kurti. /EO