Arbëri

Masakrat në Pastasellë dhe Burim, dëshmi e mizorisë dhe barbarisë serbe

Pastasellë

Pastasellë

Liderët e shtetit kanë përkujtuar viktimat e gjenocidit serb që 24 vjet më parë u vranë në Pastasellë të Rahovecit dhe në Burim të Malishevës. Për 148 civilët e vrarë në këto dy fshatra, presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti u shprehën se nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi

Ndërsa nuk është vendosur ende drejtësi për 106 civilët shqiptarë, të cilët më 31 mars të vitit 1999 u ekzekutuan nga forcat serbe në Pastasellë të Rahovecit, të premten liderët institucionalë në nderim të tyre kanë zbuluar një pllakë përkujtimore. Të njëjtën ditë të vitit 1999, disa kilometra më tej, në Burim të Malishevës, forcat serbe ekzekutuan edhe 42 civilë të tjerë shqiptarë.

Këto dy masakra i ka përkujtuar presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila është shprehur se për të vrarët dhe të zhdukurit me dhunë nuk do të reshtë së kërkuari drejtësi.

“Dhembja vazhdon të jetë po kaq e madhe sikur në ditën e vrasjes së tyre, ndërsa kujtimi për ta i përhershëm. Drejtësia për viktimat e regjimit serb dhe zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë janë kërkesa të përhershme tonat, nga të cilat ne nuk heqim dorë”, është shprehur Osmani.

E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në zbulimin e pllakës përkujtimore të dëshmorëve dhe martirëve të Pastasellës, ka thënë se ngritja e kësaj pllake përkujtimore është zotim ndaj kujtesës dhe kërkesës për drejtësi. Ai ka theksuar se synimi i Serbisë si urdhërdhënëse e ekzekutore ka qenë shfarosja e popullit shqiptar. Kurti u shpreh se Pastasella është dëshmi për mizorinë dhe barbarinë e Serbisë gjenocidale.

“Si kryeministër i Kosovës dua ta ritheksoj përkushtimin tim maksimal, jo vetëm për kujtimin e viktimave të luftës, por edhe për studimin e historisë dhe të trashëgimisë së tyre si dhe angazhimin institucional për adresimin e të gjitha krimeve të kryera gjatë luftës në sistemin e drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare. Thirrja dhe gatishmëria jonë qeveritare për t’i ndjekur kriminelët serbë të luftës duhet të hasë në interesimin urgjent dhe të shtuar të Prokurorisë së Republikës së Kosovës”, ka thënë kryeministri Kurti.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, nga Pastasella ka deklaruar se Kosova nuk do të ishte e lirë pa ata që ranë në këtë fshat. Ai ka thënë më tej se masakra e Pastasellës është një ndër krimet më mizore që Serbia ka kryer në Kosovë.

“Ajo ditë e përgjakshme fundmarsi do të mbetet e pashlyer në kujtesën tonë, për krimet e llahtarshme që përjetoi populli ynë gjatë përpjekjeve për çlirim. Drejtësia dhe dënimi i krimeve të padënuara të 31 marsit 1999 do të jetë qëllimi ynë kryesor deri në fund, për të qetësuar shpirtrat e familjeve dhe popullit tonë për humbjet e mëdha njerëzore”, është shprehur Latifi.

Ndërkaq kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, shprehu indinjatën për krimin që u bë në Pastasellë, 24 vjet pas përgjegjësit mbesin ende të pandëshkuar.

“Kujtojmë motrat e vëllezërit tanë, që u martirizuan 24 vjet më parë në Pastasellë të Rahovecit. Dora barbare nuk i kurseu as të miturit, as gratë e pleqtë, në tentim të zhbërjes së qenies sonë. Përgjegjësit për këtë krim makabër mbesin ende të pandëshkuar’, ka thënë Haradinaj.

Dëshmitarët, disa prej të cilëve kanë dëshmuar edhe në Tribunalin e Hagës, kanë treguar se viktimat nuk ishin vetëm nga Pastasella, por edhe nga disa fshatra tjera të Rahovecit si të Senocit, Kaznikut, Palluzhës, Qifllakut, Kramovikut, Gurit të Kuq, Zatriqit, e po ashtu edhe të komunave përreth - që për t’iu shmangur masakrave serbe ishin strehuar në këtë fshat. Ata kanë treguar edhe se si 30 nga viktimat, pas vrasjes janë djegur në një shtëpi, disa metra larg vendit të krimit.

Masakrat në Pastasellë e Burim ndodhën vetëm një javë pas nisjes së bombardimeve të NATO-s, periudhë kjo kur forcat e rregullta ushtarako-policore, por edhe ato paramilitare serbe kishin ndërmarrë aksione pastrimi, ku përfshihen vrasjet masive, dhunimet, plaçkitjet, djegiet e shtëpive dhe dëbimet e shqiptarëve.