Djegia brenda dy ditësh e pesë veturave me targa të konvertuara në RKS në veri të Kosovës është dënuar nga përfaqësues të ambasadave ndërkombëtare dhe nga përfaqësuesit politikë të vendit. Derisa nga faktori ndërkombëtar u kërkua hetimi i hollësishëm dhe nxjerrja e përgjegjësve para drejtësisë, nga përfaqësuesit e Kosovës aktet u ndërlidhën me fushatën e frikësimit para zgjedhjeve në katër komunat veriore e që, sipas tyre, burimin e kanë në Beograd
Pesë veturave u është vënë flaka përgjatë dy ditëve në veriun e Kosovës të banuar kryesisht me serbë. Në orët e hershme të së premtes janë djegur veturat me targat e Republikës së Kosovës të tre qytetarëve në Zveçan dhe në Mitrovicë të Veriut. Ngjarja ndodhi vetëm një ditë pasi në Zubin-Potok ndodhi djegia e dy veturave të tjera, gjithashtu me targa RKS.
Në Policinë e Kosovës kanë thënë se zjarrvëniet kanë ndodhur pasi pronarët i hoqën targat ilegale të veturave.
“Më 31 mars 2023, pas mesnatës, në veri të vendit është raportuar se nga persona të panjohur janë djegur edhe tri vetura që iu përkasin viktimave të nacionalitetit serb, të cilat kanë qenë të parkuara, njëra në rrugën ‘Kral Milutin’- Zveçan, tjetra në rrugën ‘Ivo Lola Ribar’- Mitrovicë e Veriut, si dhe e treta në rrugën ‘Vlade Çetkoviq’- Mitrovicë e Veriut””, thuhet në njoftimin për media të Policisë.
Aktet e fundit janë dënuar nga përfaqësues ndërkombëtarë në Kosovë. Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, i kualifikoi veprat si përpjekje për frikësimin e qytetarëve që zgjedhin ta bëjnë konvertimin e targave.
“Shtetet e Bashkuara dënojnë djegien ose shkatërrimin e pronës dhe çdo përpjekje për t’i frikësuar ata që synojnë të marrin targa të veturës RKS, sipas ligjit të Kosovës. Këto janë vepra frikacake dhe kriminale”, shkroi ai në Twitter.
Edhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szuynog, i quajti aktet të papranueshme.
“E dënoj fuqishëm djegien e veturave të riregjistruara së fundmi me targa RKS në veri të Kosovës. Shkatërrimi i pronës private që ka ndodhur gjatë dy ditëve të fundit, me qëllim të frikësimit të popullatës lokale është për të ardhur keq, i papranueshëm dhe duhet të dënohet nga të gjithë aktorët përkatës”, ka thënë Szuynog.
Kundër akteve të dhunës është deklaruar ambasadori gjerman, Jorn Rohde, i cili shprehu besimin se autoritetet në Kosovë do t’i hetojnë rastet dhe t’i sjellin përgjegjësit para drejtësisë.
“Dhuna nuk është kurrë opsion! Kam besim të plotë se autoritetet e Kosovës do t’i hetojnë rastet thellësisht dhe do t’i sjellin përgjegjësit para drejtësisë”.
Kurse ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott, kërkoi hetime të shpejta për rastet.
“Djegia e veturave pas riregjistrimit të tabelave në RKS në veri të Kosovës është e papranueshme. Të gjithë aktorët politikë seriozë duhet t’i dënojnë këto veprime dhune dhe rreziqet që paraqesin për stabilitetin dhe qetësinë. Hetime të shpejta për këtë krim janë të domosdoshme dhe duhet të kryhen me seriozitet dhe ndjeshmëri”, shkroi Abbott.
Blerim Vela, shef i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, i ndërlidhi incidentet e fundit me përpjekjet e strukturave ilegale serbe në Kosovë në prag të zgjedhjeve të 23 prillit në katër komuna veriore.
“Strukturat ilegale të Serbisë vazhdojnë fushatën e orkestruar të frikësimit kundër serbëve vendas në veri të Kosovës. Mbrëmë janë djegur edhe tri makina të tjera, vetëm se kishin targa RKS. Serbia po përpiqet të krijojë një klimë frike për të prishur jetën normale dhe zgjedhjet e 23 prillit”, ka deklaruar Vela.
Qëndrim të ngjashëm pati edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duhet të heqë dorë nga destruktiviteti dhe “t’i urdhërojë njerëzit e tij që të heqin dorë nga sulmet e dhunshme”.
“Incidentet e 2-3 ditëve të fundit në veri janë tregues serioz se mund të ketë një skenar të pengimit të zgjedhjeve në veri, me pasoja edhe për sigurinë në atë zonë. Refuzimi i Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale atje shpërfaq mosgatishmërinë e palës serbe që ta zbatojë marrëveshjen e arritur në Bruksel. Serbia dhe Kosova duhet që urgjentisht të fillojnë me përmbushjen e obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit”, ka shkruar Haradinaj.
Ai po ashtu kërkoi nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që ta mbrojnë suksesin e arritur me arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “Nëse marrëveshja nuk reflekton me një normalitet në terren, efektet e saj do të jenë të papërfillshme. Paqja në Kosovë është e paalternativë dhe inkurajoj të gjitha palët që të jenë të pakompromis në vendosmërinë e tyre për t’i mënjanuar të gjithë ata që e rrezikojnë edhe marrëveshjen, edhe sigurinë”.
Deri më 10 mars, bazuar në të dhënat e Ministrisë së Brendshme, në RKS janë konvertuar targat e 156 automjeteve. MPB-ja nuk ka treguar shifrat për targat e konvertuara pas kësaj date.