Arbëri

Paralajmërohet subvencionim i ri i rrymës, jo për të gjithë

Rryma - ZRRE - ulja - fatura e rrymes

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka paralajmëruar se shumë shpejt do të dalin me format e reja të subvencionimit për qytetarët, por jo për ata që do të harxhojnë mbi 800 kWh në muaj, pas shtrenjtimit të serishëm të rrymës nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

ZRRE-ja ka vendosur të enjten që rryma të shtrenjtohet për 15.4 për qind. Sipas vendimit të ZRRE-së, ata që harxhojnë 300 kWh, rritja do të jetë 2.88 euro. Për ata që harxhojnë 450 kWh, rritja do të jetë 4.18 euro. Për ata që harxhojnë 600 kWh, rritja do të jetë 5.49 euro. Për ata që harxhojnë 800 kWh, rritja do të jetë 7.23 euro. Për ata që harxhojnë 1000 kWh, rritja do të jetë 10.51 euro. Për ata që harxhojnë 1200 kWh, rritja do të jetë 13.80 euro.

Rizvanolli në “60 Minuta” të KTV-së të premten është shprehur se do të vazhdojnë me subvencionimin e rrymës për kategoritë më të prekura, ndërsa ka thënë se nuk është në dorën e tyre kontrolli i çmimit të energjisë elektrike.

“ZRRE-ja është një rregullator profesional që kalkulon kostot e më pas i referon në faturë. E jona është që t’i ndihmojmë konsumatorët në nevojë. Kemi pritur vendimin e ZRRE-së, si po shpërndahen në tarifat e ndryshme dhe do të marrim një vendim brenda disa ditëve për nivelin e subvencionimit. Do të subvencionohet konsumi i familjeve, por nuk do të subvencionohet konsumi mbi 800 kWh. Qëllimi ynë është t’i mbrojmë qytetarët, sidomos ata që janë në nevojë dhe jo vetëm”, ka thënë ajo.

Rizvanolli tutje ka thënë se rritja e çmimit të rrymës nuk ka pse të rrisë çmimet e sektorëve të tjerë, pasi sipas saj, “nuk ka arsye të ndodhë një gjë e tillë”. Ka bërë thirrje që ata që po e trumbetojnë këtë si fakt, duhet të kenë kujdes të mos përhapin panik.

Ministrja e Ekonomisë ka theksuar se bizneset e paguajnë rrymën më së liri në rajon, ndërsa nuk ka përmendur ndonjë subvencionim për ta, pasi rritjes së çmimit të rrymës.

Synimi në sektorin e energjisë, sipas Rizvanollit, është që qytetarët të kalojnë në ngrohje alternative gjatë dimrit.

“Mesatarja e një familje që ka shpenzuar mbi 800 kWh, është 1600 kWh. Është e jashtëzakonshme për një familje të shpenzohet kaq shume. Përderisa vazhdohet të kemi kaq shumë konsum për ngrohje në dimër, do të kemi njëfarë varësie nga importi i energjisë Qëllimi është ta ndalim këtë konsum për ngrohje”, ka thënë ajo.

Për këtë, Rizvanolli ka thënë se është duke u punuar dhe se sivjet i kanë zgjeruar pajisjet për ngrohje të cilat do t’i subvencionojnë. Do të përfshihen edhe bizneset.

Rizvanolli ka thënë se këto dy vjet në qeverisje kanë qenë dy vite mjaft sfiduese për energjinë, por i ka cilësuar si mjaft pozitive. Madje, ajo konsideron se më shumë është bërë për energjinë këto dy vjet sesa në dy dekadat e fundit.