Arbëri

Qeveria synon shtrirjen e FSK-së në gjithë vendin, NATO-ja thotë se ndalesa për veri është valide

Qeveria e Kosovës është zotuar për një zinxhir të unifikuar komandues të Forcës së Sigurisë që vepron në tërë territorin e Kosovës, përfshirë edhe veriun. Por, këtij përcaktimi të shprehur në dokumente nuk i është paraprirë me përpjekje që të ndryshojë marrëveshja me NATO-n, sipas së cilës FSK-ja mund të zbarkojë në veri vetëm me lejen e posaçme të komandantit të KFOR-it. Pavarësisht dokumenteve që miraton Qeveria, zyrtarë të NATO-s i kanë thënë KOHËS se ndalesa vazhdon të jetë e vlefshme

Qeveria ka shprehur synimin për ta shtrirë ushtrinë në tërë territorin e vendit, një përcaktim ky i shprehur në Strategjinë e re të Mbrojtjes. Por, këtij qëllimi nuk i ka paraprirë edhe një kërkesë për ndryshimin e marrëveshjes aktuale me NATO-n, sipas së cilës Forca e Sigurisë e Kosovës (FSK) mund të zbarkojë në veri vetëm me lejen e posaçme të KFOR-it.

“FSK-ja vepron në tërë territorin e Republikës së Kosovës nëpërmjet zinxhirit të unifikuar komandues ushtarak dhe përbëhet nga Shtabi i Përgjithshëm, komandat dhe njësitë vartëse të Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së”, shkruan në strategji.

Në Ministrinë e Mbrojtjes nuk kanë ofruar sqarime se si do të veprohet me ndalesën aktuale, e cila është e vlefshme për një pjesë të territorit. Por në NATO, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim për KOHËN, kanë konfirmuar se asgjë nuk ka ndryshuar në raport me ndalesën për FSK-në.

“Nuk ka pasur asnjë ndryshim kohët e fundit sa i përket qëndrimit të forcës së misionit, KFOR, të udhëhequr nga NATO-ja, i cili aktualisht ka rreth 3,700 trupa në terren. Vendosja e FSK-së në veri të Kosovës kërkon pëlqimin paraprak të KFOR-it. Në këtë drejtim KFOR-i së fundi nuk ka pranuar asnjë kërkesë”, thuhet në përgjigjen e NATO-s. “KFOR-i mbetet plotësisht i aftë të përmbushë misionin në përputhje me mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999. KFOR-i ka një prani të dukshme dhe të shkathët në mbarë Kosovën dhe është i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij që buron prej OKB-së për të garantuar një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”.

Kryeministri Albin Kurti e pati kritikuar ish-presidentin Hashim Thaçi për marrëveshjen me NATO-n, duke e cilësuar ujdi të fshehtë dhe në kundërshtim me Kushtetutën e vendit. Në vitin 2013, Thaçi është zotuar që FSK-ja nuk do të hyjë në veri të shtetit deri në një afat të pacaktuar.

“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës ju ofroj garanci se Forca e Sigurisë e Kosovës do të ketë mundësi të ndërmarrë misione në veri të Kosovës vetëm në bashkëveprim me KFOR-in. Kjo është në përputhje të plotë me obligimet ekzistuese të Kosovës kundrejt NATO-s, të cilat Qeveria e Republikës së Kosovës i zbaton me seriozitetin më të madh. Qeveria e Republikës së Kosovës gjithashtu e ka të qartë që KFOR-i, në përmbushjen e mandatit të tij, mund të angazhohet me përfaqësuesit legjitimë të komunitetit lokal në veri të Kosovës, si pjesë e një procesi të rregullt bashkëveprimi”, thuhej në letrën që Thaçi ia pati dërguar ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

Bashkëpunimi i NATO-s me ushtrinë e Serbisë

Në pyetjen për rrezikun që i kanoset Kosovës nga Serbia, ashtu siç thuhet në strategji, NATO-ja ka përmendur bashkëpunimin që ka me ushtrinë e fqinjit verior.

“Ushtria serbe është me përvojë, e trajnuar dhe e pajisur mirë, dhe komandanti i KFOR-it komunikon rregullisht me shefin serb të Mbrojtjes”, thuhet në përgjigjen e Aleancës Veriatlantike.

E njohës të sigurisë kanë thënë se autoritetet e Kosovës do të duhej që këto çështje t’i diskutonin paraprakisht me NATO-n.

“Në fakt, nëse i referohemi draftimit të dokumentit të Ministrisë së Mbrojtjes, në të cilin po punohet, kemi parë edhe aktivitete për të cilat ne jemi të vetëdijshëm se ato nuk mund të ndodhin pa lejen e KFOR-it, duke iu referuar marrëveshjes që Republika e Kosovës ka me NATO-n për çështjen e misionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, përkatësisht të drejtave të saj për të vepruar në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Sipas asaj marrëveshjeje, ne jemi të vetëdijshëm se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk ka të drejtë që të operojë në veriun e Mitrovicës pa miratimin paraprak ose pa lejen e KFOR-it”, ka thënë njohësi i sigurisë Bedri Elezi. “Trajtimi i kësaj çështjeje në draftin e Ministrisë së Mbrojtjes më shumë ngelet për konsum politik sesa që vërtet mund të përmbushet kjo pikë. Dua ta besoj se këto çështje duhet të diskutohen në të ardhmen me NATO-n, edhe pse të mos arrihet dakordim që kjo forcë t’i ushtrojë aktivitetet e saj në territorin e Republikës së Kosovës. Duhet të zhbllokohet ajo marrëveshje dhe duhet të kemi një marrëveshje të re”.

Katër objektivat strategjike të mbrojtjes

Në Strategji përcaktohet se FSK-ja luan rolin kryesor në katër objektivat strategjike të Mbrojtjes: Mbrojtja e sovranitetit dhe e integritetit territorial të vendit; Modernizimi dhe avancimi i kapaciteteve ushtarake; Rritja e ndërveprueshmërisë ndërinstitucionale për mbrojtjen e vendit; Zgjerimi i bashkëpunimit bilateral, anëtarësimi në organizata dhe pjesëmarrja në operacione ndërkombëtare.

Sipas Strategjisë, Kosova është duke i zhvilluar aftësitë dhe kapacitetet për mbrojtje të integritetit territorial. Kësisoj FSK-ja, në raport me zhvillimin e aftësive të saj, mbetet prioritetit kryesor në periudhën afatmesme.

Rishikimi i prioriteteve për zhvillim dhe modernizim do të bëhet varësisht nga vlerësimi strategjik i kërcënimeve, rreziqeve dhe mundësive të Republikës së Kosovës për të riorganizuar dhe përcaktuar prioritetet e zhvillimit dhe të modernizimit të institucioneve të mbrojtjes dhe të sigurisë.

“Të gjitha institucionet e vendit të orientojnë zhvillimin dhe modernizimin e tyre bazuar në nevojat për të kontribuar në sistemin e mbrojtjes të Republikës së Kosovës”, shkruan në dokument. “Zhvillimi dhe modernizimi i aftësive dhe kapaciteteve të bëhet në sinkronizim me parimet dhe procedurat e përcaktuara, në atë mënyrë që institucionet të jenë në gjendje të ndërveprojnë dhe të operojnë gjatë situatave të reagimit të përbashkët”.

Ndërkaq, prania e mekanizmave të NATO-s në Kosovë, siç shkruan në strategji, ka ndikuar pozitivisht në ruajtjen e paqes dhe të sigurisë jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.

“Kjo prani kontribuon në forcimin dhe zhvillimin e kapaciteteve të mëtutjeshme të Republikës së Kosovës në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë. Andaj është me rëndësi që të vazhdojë kjo prani dhe Kosova së bashku me partnerët të ndërtojë arkitekturën e saj të sigurisë”, thuhet në dokument.

Ministria e Mbrojtjes po ashtu zotohet për forcimin më të madh të bashkëpunimit me NATO-n dhe për intensifikimin e bashkëpunimit me shtetet anëtare të Aleancës ushtarake Veriatlantike, në mënyrë që Kosovës t’i hapet mundësia e anëtarësimit në Programin e Partneritetit për Paqe (PfP).

“Forca e Sigurisë e Kosovës synon të jetë pjesëmarrëse në stërvitjet e përbashkëta ushtarake me shtetet anëtare ose partnere të NATO-s; synon pjesëmarrjen në operacione ndërkombëtare, si dhe në organizata dhe forume rajonale të mbrojtjes dhe të sigurisë, duke siguruar qasje të vazhdueshme në qendrat e arsimimit dhe të stërvitjes të NATO-s”, thuhet në strategji.

Megjithëse NATO-ja ende nuk ia njeh mandatin e ndryshuar FSK-së, Qeveria ka shprehur synimin e paalternativë për anëtarësim në NATO. Për këtë qëllim kryeministri Kurti vitin e shkuar ka themeluar edhe një grup punues për përgatitjen e aplikacionit.