Arbëri

Hill: Populli serb s’do ta harrojë kohën e bombardimeve, partneriteti ynë me ta është i palëkundur

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, deklaroi se populli serb nuk do ta harrojë kohën e bombardimeve gjatë 1999-s, derisa iu shprehu ngushëllime familjeve që humbën familjarë nga fushata ajrore e NATO-s.

Ai shkroi në Twitter në 24-vjetorin e bombardimeve të NATO-s, duke thënë se gjatë karrierës së tij, ka mësuar se ndodh që ndonjëherë diplomacia të dështojë, e kur kjo ndodhë, Hill tha se rezultatet mund të jenë tragjike.

“Shpreh ngushëllimet e mia për familjet e atyre që humbën jetën gjatë luftërave të viteve 1990, përfshirë si rezultat i fushatës ajrore të NATO-s. E di që populli serb nuk do ta harrojë kurrë atë kohë të tmerrshme, e as nuk duhet ta harrojë. Populli serb nuk do ta lërë kurrë mënjanë pikëllimin e tij, por besoj se është mjaft i fortë për të lënë anash ankesat e tij. Përkushtimi i Shteteve të Bashkuara ndaj partneritetit tonë me Serbinë është i palëkundur, siç është edhe angazhimi ynë ndaj diplomacisë”, shkroi Hill.

Sipas ambasadorit amerikan në Beograd, SHBA-ja e Serbia mund të ndërtojnë të ardhme për popullin serb dhe për brezat e ardhshëm.