Arbëri

Liderët institucionalë: Bombardimet e NATO-s i dhanë fund gjenocidit të Serbisë në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 24-vjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake dhe policore të Serbisë, në rrjetin social Facebook, ka shpërndarë fjalimin e ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, të mbajtur natën e 24 marsit të vitit 1999, pak kohë pas nisjes së fushatës së bombardimeve.

Në këtë fjalim ndër të tjera Clinton thotë se nëse presidenti Slobodan Milosheviq nuk bën paqe, ne do ta kufizojmë aftësinë e tij për të bërë luftë”.

“24 vjet që kur bota demokratike ndaloi shfarosjen e popullit tonë. Faleminderit përjetësisht”, ka shkruar Osmani.

Për këtë përvjetor presidentja ka shkuar edhe në Twitter.

“24 vjet më parë sot, aleatët tanë të NATO-s u mblodhën për t'i dhënë fund brutalitetit të një regjimi gjenocidal. Ndërhyrja shpëtoi miliona jetë, por gjithashtu hapi rrugën drejt një të ardhmeje më të ndritshme, më të begatë dhe paqësore për popullin e Kosovës dhe rajonit. Jemi përjetësisht mirënjohës”, ka shkruar Osmani.


Osmani: NATO-ja parandaloi shfarosjen e popullit të Kosovës

Osmani bashkë me ambasadorë të shteteve të QUINT-it, kanë bërë homazhe te Memoriali i ushtarëve të NATO-s të rënë për lirinë e Kosovës.

Sipas njoftimit të Presidencës Osmani me këtë rast ka theksuar se vullneti i popullit të Kosovës për liri mori mbështetjen e duhur nga ana e botës perëndimore e botës së lirë, e cila u vu në anën ë duhur të historisë, që sipas saj ishte ana e së drejtës.

“Miku i madh i Kosovës, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton në ditën e dhënies së urdhrit për fillimin e bombardimeve në një fjalim historik të tij, deklaroi se: ‘forca jonë ushtarake iu bashkuan aleatëve tanë të NATO-s në sulmet ajrore kundër forcave serbe, përgjegjëse për brutalitetin kundër Kosovës’”, citohet të ketë thënë Osmani.

Sipas saj NATO-ja ia pamundësoi “regjimit kriminal spastrimin etnik të popullit të Kosovës”.

“Prandaj u jemi përherë mirënjohës. 24 Marsi është dita e kthesës, shpresës dhe lirisë. Do ta përsërisim çdo herë se populli i Kosovës ishte viktimë më 1999, ndërkaq Serbia ishte agresore. Kështu do të jetë gjithnjë në analet e historisë”, citohet Osmani.


Konjufca: Fushata bombardues e NATO-s i dha fund spastrimit etnik

Me rastin e 24-vjetorit të nisjes së bombardimeve ka shkruar edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Ai ka thënë se nën komandën e gjeneralit Wesley Clark, fushata bombarduese që zgjati 78 ditë, i dha fund spastrimit etnik dhe gjenocidit të Serbisë mbi shqiptarët në Kosovë.

“E nga qielli i përflakur shkëlqeu liria. 24 vjet më pas, Republika e Kosovës, e ndërtuar mbi themelet e luftës çlirimtare të UÇK-së, martirizimit të popullit tonë dhe ndihmës ushtarake të NATO-s, është shtet demokratik, sovran dhe i pavarur. Shembulli më i mirë në Ballkan, Evropë e më gjerë për jetën e lirë të qytetarëve të barabartë, të drejtat e njeriut dhe të drejtat e komuniteteve pakicë”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

Sipas tij gjatë këtyre viteve të pasluftës, Republika e Kosovës ka shënuar përparime të dukshme në të gjitha fushat dhe përbën një faktor paqeje, bashkëpunimi e stabiliteti në rajon.

“Jemi të vendosur që, me mbështetjen e miqve dhe aleatëve tanë të përhershëm, të avancojmë në proceset integruese dhe ta mbrojmë me çdo kusht pavarësinë, sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues në çdo pjesë të shtetit tonë. Populli ynë do t'u jetë përjetë mirënjohës shteteve anëtare të Aleancës së NATO-s dhe misionit ushtarak KFOR për gjithë çfarë kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë për lirinë, paqen, stabilitetin dhe sigurinë e Republikës së Kosovës. Faleminderit NATO!”, ka shkruar Konjufca.