Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, ka deklaruar se nënshkrimi i marrëveshjes së arritur midis Kosovës dhe Serbisë në Ohër, nuk është shumë i rëndësishëm. Sipas tij, rëndësi duhet t’i jepet implementimit të kësaj marrëveshjeje.
Hill ka theksuar për mediumin serb “FoNet”, se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është urgjent dhe i rëndësishëm, duke shtuar se ky është një obligim që është pranuar para 10 vjetësh nga palët e gjithashtu edhe nga Bashkimi Evropian.
“Kam qenë i përfshirë në shumë negociata ku nuk ka pasur asnjë nënshkrim në fund të procesit. E di që ka shumë diskutime për këtë, por nuk mendoj se ka shumë rëndësi. Pyetja e vërtetë është të vazhdohet me zbatimin dhe kjo do të jetë interesante të shihet në javët dhe muajt e ardhshëm”, ka thënë ai, duke shtuar se nuk duhet t’i kushtohet vëmendje çështjes së nënshkrimit.
“Kjo është një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme dhe duhet t'i japë fund debatit se është nënshkruar apo nuk është nënshkruar”, ka theksuar ai.
Siç është shprehur ai, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të interesuara për suksesin e këtij procesi.
Sipas tij, marrëveshja e Ohrit është një hap i rëndësishëm, jo vetëm në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por edhe në marrëdhëniet me BE-në dhe vendet e rajonit.