Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar pas publikimit të raportit të Departamentit amerikan të Shtetit për të Drejta të Njeriut, i cili në pjesën për Kosovën, korrupsionin serioz qeveritar dhe mungesën e hetimeve dhe përgjegjësisë për dhunën me bazë gjinore, i ka përmendur si disa prej probleme më serioze.
Sipas Krasniqit, ky raport në njërën anë shpërfaq dështimin e Qeverisë Kurti për të ndërtuar institucione kredibile, të përgjegjshme dhe të pakorruptuara, e në anën tjetër dështimin për krijuar një ambient ku vajzat dhe gratë janë të sigurta.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo
“Raporti fakton korrupsionin serioz qeveritar dhe mosndëshkimin e rasteve të tilla, mungesën e hetimit dhe përgjegjësisë për dhunën me bazë gjinore, përfshirë dhunën në familje apo dhunën seksuale, dhe ngre shqetësimin se si zyrtarë të korruptuar vazhdojnë të mbajnë pozicione të larta në sektorin publik”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Sipas tij për dy vjet Qeveria Kurti, ka prodhuar vetëm skandale. Ndër to ka përmendur raportimet për përfshirje në një skandal financiar të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
“Kjo është historia e vërtetë e kësaj Qeverie, e cila, në dy vjetët e fundit ka prodhuar vetëm skandale që kanë prekur të gjithë sektorët: qeverisjen, ekonominë, shëndetësinë, arsimin, diplomacinë e sigurinë. Padyshim, si emërues i përbashkët i cili vulosë të gjitha këto gjetje që karakterizojnë Qeverinë Kurti, mbetet ambasadori Martin Berishaj, i cili, përkundër raportimeve, fakteve dhe akuzave, vazhdon të mbetet në detyrë pa dhënë asnjëherë llogari për miliona euro të shpërdoruara e të dyshimta”, ka shkruar Krasniqi.
Sipas tij, “me Kurtin në qeverisje dhe Martinin si simbol të saj – raportet për Kosovën do të vazhdojnë të përkeqësohen vazhdimisht!”.